Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka përkujtuar betejën e lavdishme të Llapushnikut.
Limaj ka thënë se kjo betejë ishte ndër më të rëndësishme, sepse kishte karakter strategjik në shumë drejtime, njofton Gazeta Papirus.
Sipas kreut të Nismës, Beteja e Llapushnikut shpërtheu izolimin e Drenicës si dhe ndërpreu lëvizjen e serbëve për të sulmuar forcat e UÇK-së në Dukagjin.
Postimi i plotë i Limajt:
Sot bëhen 25 vite nga Beteja e lavdishme e Llapushnikut.
Kjo betejë ishte ndër më të rëndësishmet e UÇK-së, sepse kishte karakter strategjik në shumë drejtime.
Beteja e Llapushnikut shpërtheu izolimin e Drenicës duke ju ofruar mundësi viseve tjera të furnizojnë këtë pjesë të Kosovës me ushqime, armë e municione që duheshin në atë kohë.
Poashtu, kjo betejë ndërpreu lëvizjen e serbëve për të sulmuar forcat e UÇK-së në Dukagjin. Madje, Beteja e Llapushnikut shënon kthesën e madhe edhe në rrafshin diplomatik.
Në këtë përvjetor kujtojmë me nder e respekt luanët e grykës, Ymer Alushani, Besim Halilaj, Ali Zogaj, Sadik Shala, dhe dëshmorët tjerë të grykës dhe gjithë ata ushtarë që morën plagë dhe luftuan e mbajtën atë grykë. Kujtojmë poashtu, me plotë krenari edhe Fehmiun, Xheven, Gani Elshanin etj.
Respekt kontributit të secilit luftëtar të UÇK-së. Mirënjohje kontributit të secilit banor të Llapushnikut dhe zonës përreth.
Lavdi dëshmorëve dhe të rënëve për liri. Përjetësisht krenar me të ndritshmën, UÇK.
– Fatmir Limaj