Shenja e vendosur në fillim të sheshit “Ibrahim Rugova” ndalon qarkullimin e mjeteve të lëvizshme, kjo pasi sheshet janë të dedikuara vetëm si shëtitore, për këmbësorët.
Megjithatë, shumë prej qytetarëve nuk po e respektojnë shenjën dhe kësisoj po lëvizin me trotinete elektrikë, përgjatë shesheve kryesore të kryeqytetit.
E këtë gjë qytetarët po e konsiderojnë si shumë të rrezikshme, e të njëjtit po kërkojnë prezencë më të madhe të policisë në shesh.
“Nuk e di këtu se çfarë po bëjnë policia. Në fillim të sheshit është e vendosur shenja që nuk lejohen mjetet e lëvizshme për kalim, një ditë vetëm kur te shohim dikënd që do të bien të tokë, sepse po lëvizin me shpejtësi shumë të madhe. Më herët duke ardhur këtu, ishim duke diskutuar mes veti sepse na kaloi përpara dhe po hyjnë shumë mes turmave të njerëzve”, tha njëri.
“Policia nuk po vepron derisa të vdes dikush, mandej do të veprojnë ndoshta. Duhet të veprohet më herët, jo të pritet derisa të pëson dikush nga këta trotinetë”, tha një tjetër qytetar, shkruan Paparaci.
“Unë vij nga një lagje e Parisit, atje ka disa javë që e kanë ndaluar ngasjen e trotineteve elektrikë. Kjo pasi është shumë e rrezikshme për qytetarët dhe të gjithë këmbësorët. Nëse nuk e ndalon komuna apo qeveria, për këtë gjë duhet të vendoset me peticion dhe qytetarët do ta vendosin vetë për lejimin apo mos lejimin e tij”.
Një prej qytetarëve tha se: “Janë shumë të rrezikshëm trotinetet por edhe biçikletat por edhe motorët. Policia në koordinim me komunën duhet të vendosin rend, sheshi nuk është për të kaluar me trotinetë. Mund të ndodhë që të aksidentojnë edhe fëmijë dhe mund të ketë dhe pasoja fatale”.
Sipas deputetes së LVV-së, Fitore Pacolli, 200 euro do të jetë gjoba me ligjin e ri për ata që e ngasin trotinetin në vendet jo te caktuara.
“Sa u përket dënimeve ato sillen prej 100 deri në 200, por shuma nuk është fikse pasi që kjo do të mbetet për tu rishikua akoma. Ka kaluar në lexim të parë dhe ka kaluar, mirëpo duhet rishqyrtim kjo pasi përdorimi i trotinetit në Evropë po ndryshon dhe duhet të përshtatemi me ndryshimet e reja. Dënimet do t’i përfshijnë edhe personat që japin skuterë elektrik te fëmijët nën 18 edhe pse kjo është diskutabile sepse jemi të mendimit që ta bëjmë deri në moshën 16. Ditët në vijim do të diskutojmë edhe për lokacionet se ku kanë të drejtë qytetarët ta ngasin trotinetin”.
Ajo vlerëson se komunat në Kosovë nuk kanë kapacitete për ndërtimin e shtigjeve për ngasjen e trotineteve.
“Nuk ka kapacitete shteti i Kosovës, por edhe komunat që të ndërtojnë shtigje vetëm për trotinetë. Shtigjet për biçikleta që shumë prej komunave po i ndërtojnë janë propozuar që të kalojnë njerëzit edhe me trotinete, mirëpo kemi edhe reagimin e çiklistëve të cikët nuk dëshirojnë që t’i ndajnë shtigjet e tyre me ngasësit e trotinetit. Kjo edhe për shkak se trotinetet kanë shpejtësi më të madhe sesa biçikletat, në këtë rast e kemi definua kufizimin e shpejtësisë, mund të jetë vetëm 20 deri në 25 km/h. Po ashtu trotuaret nuk do të mund t’i përdorin për shkak se janë për këmbësorë”.
Çmimet e trotineteve elektrikë në treg nuk janë të ulëta, ato sillen nga 300 deri në 700 euro.