Gjermania ka nevojë për punëtorë të kualifikuar dhe këtë konfirmon edhe kreu i Shoqatës së Dhomave Gjermane të Industrisë dhe Tregtisë (DIHK).
Kryetari i DIHK Peter Adrian thotë se „për shkak të mungesës së fuqisë punëtore në Gjermani, kompanitë gjithnjë e më shumë po detyrohen të refuzojnë porositë dhe të reduktojnë shërbimet e tyre“, njofton Diaspora Today.
Adrian kërkon që procedurat të lehtësohen për imigrimin e punëtorëve të kualifikuar. Sipas tij, mungesa e punëtorëve të kualifikuar është rreziku i dytë më i madh i biznesit për kompanitë pas kostove të energjisë. „Shumë kompani janë duke shpresuar se fluksi i punëtorëve të kualifikuar nga vendet e treta do të bëhet edhe më i lehtë“, thotë ai për dpa.
Qeveria federale ka bërë të ditur se do të reformojë ligjin për imigrimin e punëtorëve të kualifikuar. Ligji aktual e ka lehtësuar ardhjen e specialistëve nga vendet jashtë Bashkimit Europian, por përvojat tregojnë se shumë gjëra janë ende tepër të ndërlikuara, zgjasin shumë e madje edhe dështojnë tërësisht.
Nga pikëpamja e kompanive, është e rëndësishme që emigrantët të mos kenë nevojë të tregojnë dëshmi të kualifikimeve ekuivalente me ato në Gjermani, para arritjes në këtë vend. „Për shkak se përvoja e përditshme në kompani tregon se kualifikimet e munguara shpesh mund të arrihen edhe gjatë punës së përditshme. Për një fillim sa më të mirë në kompani, është e rëndësishme të promovohet më intensivisht edhe mësimi i gjuhës gjermane jashtë vendit.“
Por proceset e autoriteteve të përfshira në ardhjen e fuqisë punëtore duhet të funksionojnë më shpejt dhe me pak pengesa. Në veçanti, koha e pritjes për një takim për të aplikuar për vizë pune është shpesh mjaft e gjatë dhe duhet të kalojnë muaj të tërë deri në marrjen e një orari takimi. Ndërkohë që për të tërhequr me sukses punëtorë të kualifikuar, duhet më shumë, thekson Adrian.
„Kjo fillon prej ofertës për vendstrehim të përshtatshëm e deri tek kujdesi për fëmijët e tyre. Nëse duam të frymëzojmë njerëz nga e gjithë bota për të punuar në Gjermani, atëherë duhet t’u japim edhe mundësinë që të ndihen të mirëpritur në Gjermani.“
Gjermania planifikon që së shpejti të përfundojë edhe një projektligj për lehtësimin e marrjes së shtetësisë gjermane, pra shkurtimin e afateve për marrjen e një pasaportë gjermane, por edhe lejimin e mbajtjes së dy pasaportave.