Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka folur lidhur me dërgimin e Ligjit për Byronë për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, raporton Gazeta Sinjali.
Në mbledhjen e sotme të Qeverisë, Kurti ka shpjeguar rëndësinë e një prej pikave të rendit të ditës, themelimin e strukturës për hartimin e strategjisë kundër korrupsionit.
“Sot para nesh kemi një mbledhje mbase më të shkurtër sesa zakonisht, por me një pikë të rëndësishme në rendin e ditës. Po e themelojmë strukturën për hartimin e strategjisë kundër korrupsionit”, tha Kurti.
Sipas tij, disa ligje “jo rastësisht” janë dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga opozita. Kështu, ai tha se partitë opozitare po përpiqen t’i “paralizojnë reformat”.
“Në historinë 15-vjeçare të shtetit të pavarur të Kosovës nuk mbahet në mend që kaq shumë ligje të jenë kontestuar në Gjykatën Kushtetuese brenda një kohe kaq të shkurtër”, tha Kurti.
“Kontestimi i tyre është përpjekje dëshpëruese për paralizim të reformave”, shtoi ai.