Liderët opozitar, Memli Karsniqi i PDK-së dhe Lumir Abdixhiku i LDK-së, të shoqëruar nga anëtarë të partive, kanë bërë sot homazhe tek varrezat e familjes Jashari në Prekaz, me rastin e shënimit të 25 vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi u shpreh se datat 5, 6 dhe 7 mars shënojnë ditët kur lindi liria e Kosovës.
“Datat 5,6 dhe 7 mars shënojnë ditët kur ka lindur liria e Kosovës dhe qytetarëve tanë si çdo shqiptar tjetër e konsiderojmë obligim për të ardhur këtu në Prekazin e lavdisë së familjes Jashari për të treguar respektin tonë të përjetshëm, vlerësimin e pafundmë për sakrificën e tyre titanike e cila i dha drejtim luftës çlirimtare të UÇK që mundësoi edhe masovizimin e radhëve të UÇK-së por edhe rrugën e çlirimit për ta gëzuar lirinë që e kemi sot”, tha Krasniqi.
Ai shtoi se viteve të fundit shënimi i Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po bëhet në mungesë të krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët po mbahen në Hagë.
“Padyshim që në ditë të shënuara si kjo ne në këto vitet e fundit e ndjejmë shumë mungesën edhe të themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit dhe të gjithë bashkëluftëtarëve të tyre që janë të privuar nga liria dhe po mban larg nesh. Besoj që në ditë të tilla çdo shqiptar para se gjithash duhet ta kuptojë dhe vlerësojë në mënyrën më të veçantë këtë sakrificë të familjes Jashari po ashtu edhe jetën që e ka dhënë secili dëshmor i luftës çlirimtare të UÇK-së”, u shpreh Krasniqi.
Ndërkaq kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka thënë se mbi sakrificën e familjes Jashari qëndron rrugëtimi i ardhshëm i Kosovës për një shtet të barabartë në mes të vendeve evropiane.
Ai ka kujtuar rënien heroike të komandantit legjendar, Adem Jashari, familjes së tij dhe gjithë dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duke thënë se me rënien e tyre ka lindur përpjekja finale për liri, shtet dhe pavarësi.
“Sot nderojmë 25 vjetorin e Epopesë së UÇK-së, nderojmë datat 5,6 dhe 7 mars të vitit 1998 ku në këtë tempull të sotëm ranë heroikisht familja Jashari, komandanti legjendar Adem Jashari dhe në këtë rënie të tyre lindi edhe përpjekja jonë finale për liri, për shtet dhe për pavarësi. Mbi sakrificën ultime të komandantit Adem Jashari, familjes Jashari dhe gjithë të rënëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës qëndron edhe rrugëtimi jonë i ardhshëm për një shtet të barabartë në mes të vendeve evropiane dhe këtë rrugë në këtë ditë duhet ta kujtojmë gjithnjë edhe si shenjë uniteti të brendshëm por edhe si përpjekje të pashtershme të popullit tonë”, ka thënë Abdixhiku.