Gatishmëri për ndërtimin e marrëdhënieve më produktive vitin e ardhshëm, thirrje për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, krijimi i Asociacionit dhe mbështetje në njohjen ndërkombëtare të Kosovës…
Këto, ndër të tjera, ishin disa nga mesazhet e liderëve botërorë në letrat e urimit me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, rikonfirmoi mbështetja e SHBA-së për përkushtimin e Kosovës ndaj demokracisë.
“Në emër të popullit të Shteteve të Bashkuara, ju lutem pranoni urimet e mia më të përzemërta për ju dhe popullin kosovar ndërsa festoni Ditën e Pavarësisë. Rrugëtimi i Kosovës si komb sovran është shënuar me qëndrueshmëri dhe vendosmëri”.
“Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht Kosovën dhe përkushtimin e saj për ndërtimin e një shoqërie demokratike ku të gjithë qytetarët e saj mund të jetojnë dhe të lulëzojnë së bashku. Lidhjet midis njerëzve tanë janë të forta dhe ne presim me padurim t’i zgjerojmë ato lidhje, duke përfshirë rritjen e mundësive për investime, për të sjellë prosperitet më të madh për të dy kombet tona”.
Në urim u theksua gjithashtu përkushtimi i Shteteve të Bashkuara për të punuar në ndërtimin e marrëdhënieve më produktive me qeverinë e Kosovës në vitin e ardhshëm.
“Shtetet e Bashkuara mezi presin të ndërtojnë një marrëdhënie më produktive me qeverinë e Kosovës në vitin e ardhshëm. Ndërsa punojmë me Kosovën dhe fqinjët e saj për të ndërtuar një rajon më të begatë dhe më të sigurt, është e rëndësishme që Kosova të integrohet më tej me komunitetin euroatlantik. Mbështetja e palëkundur e Kosovës për Ukrainën përballë agresionit rus vlerësohet shumë”.
Letër urimi Kosova mori edhe nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i cili rikonfirmoi mbështetjen e Francës për pavarësinë dhe integrimin evropian të Kosovës.
Macron i bëri thirrje Kosovës të punojë në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, ndërsa përmendi nevojën për përparim në zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe aneksi të Ohrit, duke përfshirë edhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është një hap thelbësor. Emërimi i një Përfaqësuesi të ri special të Bashkimit evropian duhet të jetë një mundësi për të bërë përparim në zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit-Ohrid, duke përfshirë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pranoi mesazh urimi edhe nga presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier.
Në mesazhin e tij, Steinmeier ka riafirmuar përkushtimin e Gjermanisë ndaj Kosovës, duke vënë në dukje mbështetjen e vazhdueshme të Berlinit për pavarësinë dhe integrimin evropian të vendit.
Presidenti gjerman ka ritheksuar përkrahjen e vendit të tij për njohjen ndërkombëtare të Kosovës dhe përpjekjet e saj për anëtarësim në BE.
“Gjermania mbështet në mënyrë të pandryshuar njohjen ndërkombëtare të Kosovës dhe dëshiron që ajo të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian”, thuhet mes tjerash në urim.
Mbreti Charles III gjithashtu shprehu gatishmërinë për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve në letrën e urimit.
“Jam shumë i kënaqur që shtetet tona ndajnë lidhje kaq të forta dhe pres ta forcojmë më tej miqësinë tonë. Kombet tona të mund të bashkëpunojnë për të dhënë një ndikim pozitiv në ndryshimet klimatike dhe çështjet mjedisore, të cilat na prekin të gjithëve globalisht”.
Kosova nesër feston 17 vjetorin e Pavarësisë së saj.