Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, është deklaruar rreth skandalit korruptiv të publikuar ditë më parë ku përfshihet këshilltari i tij Florent Ramqaj.
Aliu ka deklaruar se nuk është hera e parë që sulmohet që kur ka marrë detyrën si ministër.
“Ky sulmi që ka qenë këto ditë, s’është i pari. Prej ditës së parë si ministër, ka filluar sulmi ndaj meje. Prej çështjes së aktakuzës së ngritur për Prishtinën e re, që në fund doli e vërteta. Duke vazhdu me çështjet e tjera si ka shpi në Marigonë e fëmijët i ka në shkolla private. Secila është shpifje. Deri tek kjo.”
Ai ka shtuar se para publikimit të lajmit u krijua një siç e quan ai “flluskë” që do të shkarkohet këshilltari dhe do të shkoj në burg.
“Fillimisht ndërtohet një flusktë, duke thënë se ministri e këshilltari i tij do të shkon në burg. Menduam se do të lidhet me kabinetin tonë duke i pa edhe postimet e mëparshme. Nuk kish ka me u lidh, dhe pritshmi se cili prej këshilltarëve ka mund të jetë në situata që Berat Buzhala me pas mundësine me fol këtë që po e thotë”, tha Aliu në Pressing.
Aliu ka thënë se pas publikimit të lajmit doli një situatë qesharake.
“U ndërtu një fluskë e madhe, krejt pritshmi kur del ministri në përgjim duke marrë pare ose duke dhënë pare ose ndonjë këshilltar i tij. Unë i njoh këshilltarët e mijë. Para se me dal emisioni, filloi një fushatë kundër Florent Ramqaj, këshilltarit për financa, dhe se duhet ta shkarkosh atë. Dhe pastaj kur e dëgjuam atë inxhizimin e famshëm, i cili kërkonte orë të tëra interpretim për ta bërë të duket serioz, doli një situatë tejet qesharake”, tha ai.
Tutje, ai tha se VV ndryshon nga qeveritë e tjera.
“Kjo është edhe tendenca që vërehet vazhdimisht, për të thënë që edhe ju jeni sikur ata, duhet të ngritën skandale. Ndryshojmë radikalisht, edhe në transparencë. Ka qenë mbrapshtë në secilën sferë. Ne po e ndryshojmë këtë, dhe natyrisht ndryshimi nuk është i shpejtë pasi që në secilën departament duhet të punohet”, tha Aliu në Pressing.