Ditëve të fundit po qarkullojnë shkrime në media dhe përfolje dhe se dy zyrtarët e VV’së që punojnë bashkë në një ministri, Liburn Aliu Ministër dhe Hysen Durmishi zëvendës i tij janë përplasur. U tha se Durmishi është duke u hetuar për një tender 17 milionësh, por kur në emisionin Pressing Ministri Aliu u pyet për këtë, tha se vetë zëvendësi i tij ka kërkuar auditim të një tenderi. Ai theksoi se raportet mes tyre janë të mira dhe se të premten kanë pirë kafe bashkë në zyrë. Burimet, megjithatë, thonë se ata dy kanë probleme mes vete.
Liburn Aliu e Hysen Durmishi janë dy nga figurat e rralla prej aktivistëve “hardcore” të VV’së që lideri i këtij subjekti, Albin Kurti, kishte vendosur t’i akomodojë në Qeveri.
Aliu njihet si njëri prej motorëve të VV’së, sidomos gjatë kohës së protestave, kur përfshihej ashpër në përplasjet me policinë, e Durmishi si një ndër aktivistët më të bindur të Kurtit, i njohur edhe për imazhin e tij kryeneç, që i shquhej sidomos kur bënte ndonjë postim për kundërshtarët.
Kurti kishte vendosur, me gjasë taktikisht, që pikërisht këta dy t’i emërojë në dikasterin që qarkullon shumë para, Aliun si Ministër e Durmishin si zëvendës të tij.
Tash që VV ka hyrë në vitin e dytë të qeverisjes me vendin, përflitet me të madhe për raporte të tensionuara mes tyre.
Dy figurat e VV’së e kanë pushuar qërimin e hesapeve me kundërshtarët dhe tash po merren me njëri-tjetrin.
Për konfliktin në Ministrinë e Infrastrukturës, ditë më parë, i pari shkroi publicisti Halil Matoshi në OP-ED’in e tij.
Sipas Matoshit, Kryeministri Albin Kurti po dështon në “mbulimin e skandaleve të zyrtarëve të shtetit”.
“Tendencat e tij për mbulimin e skandaleve të zyrtarëve të shtetit po dështojnë, sepse i krisi e çara në marrëdhëniet ndërmjet ministrit Liburn Aliu dhe zëvendësministrit Hysen Durmishi”, ka shkruar ai. Sipas tij, në ministri për një tender 16 milionësh po hetohet Hysen Durmishi. E këtë hetim, sipas Matoshit, po e drejton ministri Liburn Aliu.
Konflikti mes tyre u trajtua edhe javën e kaluar në emisionin Pressing të T7, ku Ministri Aliu foli rreth përgjimeve në të cilat u përfshi edhe emri i tij. Mediat raportuan se në aferën korruptive që targetonte këtë ministri ishte i përfshirë Florent Ramqaj, këshilltari i ministrit Liburn Aliu.
Kur u pyet për raportin me Durmishin, Aliu nuk elaboronte shumë. Nuk fliste për ndonjë miqësi e as si për një shok të pandashëm, me të cilin ndan një vend pune.
Cilat janë raportet me Durmishin?
“Ka qenë në zyrën time, jemi takuar sot”, shpjegoi ai.
Për më tepër, ai tha se me Hysen Durmishin kanë edhe një histori të përbashkët burgu.
“Unë kam qenë në burg me Hysen Durmishin. Sot i kemi raportet shumë të mira. Sot jemi taku, kemi pi kafe bashkë”, tha Aliu.
Duke folur rreth tenderit, ku thuhet se zë fill përplasja mes tyre, Aliu mohoi se Durmishi po hetohet, por theksoi se ai ka kërkuar auditim.
“Hysen Durmishi e ka kërkuar auditimin… ai ka iniciuar auditimin, jo hetimin, ne s’bëjmë hetim”, shtoi ai.
Për t’i mohuar përplasjet, vetë Durmishi shpëndau të premten njoftimin e VV’së që bënte të ditur se Aliu ishte i ftuar në Pressing.
Teksa dy figurat e VV’së u përfolën në publik rreth raporteve të tyre, ata u morën në mbrojtje nga partia.
Zyrtari për media i VV’së Arlind Manxhuka ia sillte ndërmend publikut si këta dy zyrtarë, me t’i marrë postet, i kishin luftuar padrejtësitë e së kaluarës.
“Me iniciativë të ministrit Liburn Aliu është krijuar grupi punues që ka audituar të gjitha projektet në fushën e ujërave që janë dhënë nga ARPL në 5 vitet e fundit. Përgjatë këtyre që ishin pjesë e auditimit, janë nënshkruar kontrata për rregullimin e shtretërve të lumenjve në vlerë prej 130 milionë eurosh, ndërkaq janë bërë pagesa rreth 43 milionë euro, por cili prej shtretërve të lumenjve është i rregulluar?! Ky raport ku janë të gjitha gjetjet më pas është dorëzuar në Prokurori”, shkruante ai.
Pastaj, raportonte edhe për një të bëmë të Durmishit.
“Me 2 korrik 2021, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, përkatësisht zv.ministri Hysen Durmishi ka dorëzuar në Prokurorinë Speciale kontratën ‘Mirëmbajtja e urave në rrugët nacionale dhe regjionale të Kosovës për vitet 2017–2019’.
Veç dy të dhëna po i theksoj se çka ka ndodhur me këtë kontratë:
1. Vlera e paraparë ishte 500 mijë euro dhe në fund shkoi në 5 milionë.
2. Vetëm në njërin pozicion të paramasës për lyerjen e shtyllave të urës nga 350 metra, sa janë paraparë, ka përfunduar me 103 mijë e 811 metra katrorë.
Kjo është një arsye tjetër e sulmeve ndaj Qeverisë Kurti.
p.s. Ende asnjë hap nga Prokuroria për këtë”, shkruante ai.
Derisa VV ua vuri në pah “punën” që kanë bërë dy zyrtarë në fjalë, pikërisht në këtë kohë është përfolur mundësia e riformatimit të Qeverisë. Flitet me të madhe se Kurti është i pakënaqur me punën e disa ministrave të tij. Por, se kush mund të shkarkohet mbetet e panjohur, duke e ditur edhe mënyrën se si punon Kurti.