Në një varrim në fshatin Bistricë ku po i jepej lamtumira ish-ushtarit të UÇK-së, Behxhet Hetemit, lindi krejt ‘telashja’ mes Qeverisë së Kosovës dhe KFOR-it, ku disa pjesëtarë të Togës Ceremoniale të FSK-së morën pjesë në funeral. Kjo ngjarje çoi deri te rizotimi qeveritar që FSK nuk shkon në veri pa leje të KFOR-it, për çka gazeta Nacionale kishte raportuar muaj më parë.
Gazetari Lirim Mehmetaj publikoi letrën e dërguar nga Minsitri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, e cila në thelb të jetë e përmasave gati se “penduese e vajtuese”: ku thuhet se kanë gabuar, ishte keqkoordinim i brendshëm, i paqëllimshëm, dhe me lokacion të shkruar gabim si “Bistricë, Komuna e Mitrovicës”.
I ndjeri që po varrosej ishte vëllau i Lulzim Hetemit, kryetarit të Leposaviqit nga Vetëvendosja: ku kishte marrë pjesë, Albin Kurti, Faton Peci, Armend Muja, një deputete në legjislaturën që ka kaluar që mban emrin Arjeta Fejza, Erden Atiqi, Sali Zyba.
Letra e plotë e Maqedoncit pa ndërhyrje:
I nderuar Gjeneral Barduani,
Po ju shkruaj këtë letër në lidhje me shqetësimin e shkaktuar nga pjesëmarrja e Togës Ceremoniale të Forcës së Sigurisë së Kosovës në ceremoninë mortore të z. Behgjet Hetemi, e mbajtur në Bistricë e Shalës më 24 Nëntor 2024.
Pas pranimit të letrës suaj, menjëherë kërkova nga Forca e Sigurisë së Kosovës informacione të hollësishme dhe mora sqarime lidhur me aktivitetin e ekipit ceremonial të FSK-së në Bistricë.
Pjesëmarrja e Togës Ceremoniale të FSK-së në ceremoninë e përmendur u realizua me kërkesë të Organizatës së Veteranëve të Luftës. Kryerja e ceremonive të tilla është një nga detyrat rutinë të Togës Ceremoniale të Forcës së Sigurisë së Kosovës, sipas Ligjit Nr. 04/L-261. Në kërkesën e pranuar, lokacioni ishte përmendur si Bistricë, Komuna e Mitrovicës, gjë që kontribuoi në konfuzion dhe gabim.
Mund t’ju siguroj se prania e Togës Ceremoniale në aktivitetin e përmendur në Bistricë pa miratimin paraprak nga KFOR-i ndodhi për shkak të një keqkoordinimi të brendshëm dhe ishte krejtësisht e paqëllimshme. Duke njohur ndjeshmërinë e çështjes, dua t’ju siguroj se kam ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme dhe kam udhëzuar udhëheqësinë e FSK-së të marrë masa adekuate për të parandaluar gabime të ngjashme në të ardhmen.
Ministria e Mbrojtjes dhe Qeveria e Republikës së Kosovës do të respektojnë angazhimin e bërë përmes letrës së datës 19 Prill 2013, nga ish-kryeministri Thaçi, i cili angazhohet se Forca e Sigurisë së Kosovës do të ndërmarrë një mision në pjesën veriore të Republikës së Kosovës vetëm me miratimin paraprak nga KFOR-i.
Duke shpresuar që kjo të mos dobësojë besimin tonë të ndërsjellë dhe të mos ndikojë në bashkëpunimin tonë të shkëlqyer, ju lutem pranoni shprehjen e konsideratës sime më të lartë.
Me respekt,
Ejup Maqedonci
Ministër i Mbrojtjes