Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili, ka reaguar ndaj ftesës që kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i ka dërguar Kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, për konsultime.
Kica-Xhelili ka theksuar se Kurti ka kontribuar në përçarjen e shqiptarëve gjatë katër viteve të mandatit të tij, duke shtuar se ai që i ka ndarë shqiptarët, nuk mund t’i bashkojë as për paqe dhe as për krizë.
Në postimin e saj, Kica-Xhelili ka shkruar se: “Katër vjet, kryeministri në detyrë ka shërbyer për përçarjen politike ndërshqiptare. VV është një rast tipik i një partie që ngrihet vetëm mbi ndasi, dhe për këtë arsye nuk mund të mbijetojë pa gjetur fajtorë të jashtëm.”
Ajo ka theksuar gjithashtu se Kurti për katër vjet ka shmangur çdo lloj bashkëpunimi me politikanë opozitarë shqiptarë, dhe tani, pasi është izoluar politikisht, po mundohet të fshehë këtë situatë duke bërë akuza ndaj të tjerëve.
Postimi i plotë:
Katër vite, kryeministri në detyrë i ka shërbyer përçarjes politike ndërshqiptare.
VV është rast tipik i një partie që ngritet vetëm mbi ndasi, e prandaj s’mbijeton dot pa gjetur fajtorë të jashtëm.
Kurtit për 4 vite, nuk i konvenoi asnjë politikan opozitarë shqiptarë. E tani, kur iu mbyll dera nga forcat më të mëdha politike shqiptare, ai po mundohet ta fshehë izolimin e vet politik pas tymnajës së akuzave për ndikime të jashtme. Herë ja zëmë rrugën ne, herë KQZ, herë PZAP… e akoma më shpesh vet rendi kushtetues.
Pasi ofendoi, shau e izoloi bashkëpunimin politik ndër-shqiptarë, krijoi pozicionin kur qeveria jetëshkurtër që ai synon u reduktua në biseda pazaresh.
Kosova e pasluftës nuk mban mend diskurs të tillë përçarës. E kush synim politik ka t’i përçajë shqiptarët, nuk mund t’i bashkojë e unifikojë as në paqe, e as në krizë./ Gazeta Papirus/