Lajm i keq për Leeds United. “The Athletic” raporton se klubi anglez është dënuar nga Dhoma e Zgjidhjes së Mosmarrëveshjeve të FIFA-s për të kompensuar ish-lojtarin e tij, Jean- Kevin Augustin, me 24.5 milionë stërlina (rreth 28 milionë euro).
Arsyeja është e qartë: sulmuesi francez u mor në janar 2020 nga radhët e Leipzigut në formë huazimi me detyrimin blerjeje në rast të promovimit në Premier League (gjë që ndodhi në të vërtetë), në një sezon të kushtëzuar nga pandemia (të gjitha kompeticionet u shtynë deri në verë).
Kjo është pikërisht pika ku ndërtohet e gjithë historia: Augustin (i cili luajti vetëm 48 minuta të shpërndara në tri paraqitje në kampionat) u largua nga “Elland Road” më 30 qershor, kur skadoi marrëveshja, shtatëmbëdhjetë ditë përpara se Leeds të kthehej në fushë (kur rinisën angazhimet zyrtare).
FIFA, në vitin 2021, vendosi se Leeds do të duhej ta paguante shumën e detyrimit të shlyerjes ndaj Leipzigut, një vendim i konfirmuar edhe nga CAS nëntorin e kaluar.
Në fund, anglezët dhe gjermanët ranë dakord për 15.5 milionë stërlina (pak më shumë se 17.5 milionë euro).
Pikërisht në vazhdën e këtij vendimi, Augustin (aktualisht me Baselin) ka shfrytëzuar rastin për të paditur Leedsin, tashmë i detyruar që t’i paguajë të gjithë shumën që lidhet me kontratën pesëvjeçare prej 80 mijë stërlinash në javë, që do t’i takonte.
Leeds pritet që edhe këtë vendim ta apelojë në KAS.