Lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, thotë se Kosovës nuk i duhet një front i bashkuar opozitar ndaj Qeverisë Kurti. Ai thotë se LDK nuk ka lidhje me PDK-në, AAK-në e aq më pak me parti të tjera jo parlamentare.
Ai thotë se bashkëpunimi opozitar tani është për shkak të natyrës që gjendet vendi politikisht, jo për shkak të bindjeve të njëjta ideologjike apo programore.
“Ne jemi parti të ndryshme. LDK nuk ka lidhje me PDK dhe AAK-në, e aq më pak me parti të tjera jo parlamentare. Ne kemi identitetin tonë politik, veprues dhe ideologjik. Bashkëpunimi opozitar është për shkak të natyrës që gjendemi politikisht, jo për shkak të bindjeve të njëjta ideologjike apo programore. Kosovës nuk i duhet front i bashkuar opozitar. Kosovës i duhet një LDK e fuqishme që merr mbështetjen qytetare dhe në bazë të programit të LDK-së më pas zhvillohet projektet konkrete dhe rikthehet integrimi euro-atlantik. Këto përpjekje mbijetesë të faktorëve politikë të shkuar nuk i analizojmë as nuk i mbajmë për bazë politike serioze të komunikimit të brendshëm politik”, thekson ai.