Lidhja Demokratike e Kosovës, ka reaguar pas dështimit për të arritur një marrëveshje sot në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë.
LKD, përmes një reagimi tha se Qeveria e Kosovës në asnjë rast nuk duhet të sillet në mënyrë që Serbia të duket mirë dhe të fajësohet Kosova, ashtu siç ndodhi sot, sipas saj.
“Lidhja Demokratike e Kosovës po ndjek me shumë kujdes situatën e krijuar pas dështimit të sotëm, në Bruksel, të përpjekjeve për të gjetur një zgjidhje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së. LDK-ja vlerëson se stabiliteti dhe siguria janë kushte thelbësore për të arritur progres, si dhe për të ushtruar sovranitetin në gjithë territorin e saj”, thuhet në reagim.
Tutje, sipas LDK-së, shtrirja e ligjshmërisë në të gjithë territorin është e drejtë e pamohueshme e Kosovës dhe se sipas kësaj partie, suksesin e garanton koordinimi me ShBA-në dhe BE-në.
“Kosovës i duhen aleatët e saj, përkrahës historik të popullit të Kosovës. Kush i dëmton raportet me aleatët, rrezikon ta lë vendin tonë pa përkrahje. Kosova ka arritur deri këtu bashkë me aleatët dhe kështu duhet të vazhdojë edhe më tutje”, thuhet në reagim.