Lidhja Demokratike e Kosovës ka kujtuar viktimat dhe të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në ditën e 14 prillit, përcjell Gazeta Papirus.
Në njoftimin e LDK-së thuhet se dhuna seksuale ishte pjesë e strategjisë së ushtrisë serbe në Kosovë dhe si e tillë mbetet plagë e thellë për shoqërinë kosovare.
Tutje, partia e LDK-së njofton se është përgjegjësi shoqërore dhe institucionale që kjo kategori shoqërore të mos përbuzet. Kujdesi për mirëqenien, rehabilitimin dhe risocializimin e tyre në jetën private e publike mbetet obligimi i LDK-së.
Njoftimi i plotë nga LDK”
“Dita e të mbijetuarve të dhunës seksuale në Kosovë
Dhuna seksuale në Kosovë ishte pjesë e një sërë akteve kriminale serbe të kryera në kontekstin e një agresioni masiv, dhe si i tillë mbetet një plagë e thellë për shoqërinë kosovare.
Ndonëse më shumë se dy dekada pas përfundimit të luftës në Kosovë, rrëfimet e grave që kanë përjetuar dhunimin ende mbeten të patregruara dhe të heshtura në historinë e tyre plot dhimbje. Përkundër, që është bërë një hap drejt njohjes së statusit të tyre, gratë e mbijetuara të dhunës seksuale vazhdojnë të ballafaqohen me stigmën e mos integrimin e tyre në shoqërinë tonë.
Derisa, kufizimi ynë shoqëror në definimin se dhuna seksuale është mjet lufte, është padrejtësia e radhës që mund t`i bëhet të mbijuatarave për faktin se diskursi publik pas përfundimit të luftës ka qenë i heshtur në rikthimin e vëmendjes ndaj tregimeve të grave.
Guximi i disa të mbijetuarave për të ndarë historinë e tyre të përjetuar, kanë thyer heshtjen dhe kanë ndihmuar në emërimin e tragjedisë së tyre e si rezultat, thyerjen e heshtjes e trasimin e rrugës për drejtësinë e 20.000 mijë grave të tjera.
Ballafaqimi me të kaluarën asnjëherë nuk mund të jetë i drejtë, pa drejtësinë shoqërore ndaj kategorisë së të mbijetuarave.
Prandaj, është përgjegjësi shoqërore dhe institucionale që kjo kategori shoqërore të mos përbuzet. Kujdesi për mirëqenien, rehabilitimin dhe risocializimin e tyre në jetën private e publike mbetet obligimi i LDK-së.”/Gazeta Papirus/