Lidhja Demokratike e Kosovës ka vlerësuar se duhet të ndodhë shkarkimi i ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës.
Përmes një komunikate për media, LDK konsideroi se ky është dështimi i radhës për kapje të shtetit.
“Gjykata Kushtetuese i ka vlerësuar si të pranuara të gjitha pretendimet e ngritura nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), se ligji në fjalë në pjesën materiale të saj është kundër kushtetues, rrjedhimisht ai duhet të shpallet i pavlefshëm në tërësinë e tij.” – thuhet në komunikatë.
Tutje, LDK vlerëson se duhet të shkarkohet ministrja Haxhiu, dikasteri i së cilës ka paralajmëruar konferencë për media gjatë ditës së nesërme, në orën 12:00.
“Lidhja Demokratike e Kosovës, vlerëson se më e pakta që duhet të ndodh tani është shkarkimi i menjëhershëm i Ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiu si shkelëse e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.” – bëhet e ditur në njoftim.
Komunikata e plotë:
Dështimi i radhës për kapje të shtetit.
Sot Gjykata Kushtetuese e shpalli Aktgjykimin lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit nr. 08/L-136 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës.
Gjykata Kushtetuese i ka vlerësuar si të pranuara të gjitha pretendimet e ngritura nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), se ligji në fjalë në pjesën materiale të saj është kundër kushtetues, rrjedhimisht ai duhet të shpallet i pavlefshëm në tërësinë e tij.
Rrëzimi i këtij ligji është rrëzim i tendencës së pushtetit për të kapur sistemin e drejtësisë.
Lidhja Demokratike e Kosovës, vlerëson se më e pakta që duhet të ndodh tani është shkarkimi i menjëhershëm i Ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiu si shkelëse e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Shkelësit e kushtetutës nuk duhet të kenë vend në institucionet publike, aq më pak në krye të institucionit kryesor të drejtësisë.
Lidhja Demokratike e Kosovës ndërsa, gjithmonë do jetë në mbrojtje të Republikës sonë dhe rendit tonë kushtetues; një fushë që ky pushtet duket se nuk e kupton.
LDK – Zyra për Informim