Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) duket se nuk do të pres gjatë për të bërë hapin e parë në iniciativën e paralajmëruar para disa ditëve për daljen e Kosovës nga kriza.
Kosova po kalon ditë të errëta. Ndëshkimet nga partnerët e saj më të mëdhenj ndërkombëtarë pritet ta dëmtojnë pandreqshëm, derisa Qeveria po provon të relativizojë rrethanën.
Por, LDK po kërkon t’i nxjerrë ‘gjumin’ qytetarëve përmes një iniciative të paralajmëruar më herët nga kryetari i saj.
Mësohet se takimi i parë i iniciativës që mësyn nxjerrjen e Kosovës nga izolimi ndërkombëtar do të mbahet të mërkurën, më 5 korrik. Pjesëmarrës do të jenë gazetarë dhe opinionistë të ndryshëm vendorë.
Takimi i dytë, bëhet e ditur se pritet të jetë me organizata të shoqërisë civile.
Paralajmërimi
LDK-ja e kishte paralajmëruar iniciativën në fjalë të enjten, më 28 qershor, përmes kryetarit të saj Lumir Abdixhikut.
Ky i fundit theksonte se synonte ndërtimin e një “Rruge të Tretë” duke bashkuar ata që “besojnë në Republikën, në rrugëtimin euroatlantik e në fondamentet bazike të kësaj shoqërie.”
Rruga e Tretë
“Rruga e Tretë” është një term që përdoret zakonisht kur janë dy rrugë, dy alternativa, tashmë të etabluara.
Besohet se Abdixhiku dhe LDK-ja kanë ndërmend në këtë rast se “Rruga e Parë” është ajo e Kurtit, në të cilën përpjekja për shtrirje të sovranitetit në veri po i dëmton rëndë raportet e Kosovës me partnerët ndërkombëtarë. “Rruga e Dytë” është ajo që thotë se nuk duhej bërë përpjekje fare për shtrirje sovraniteti, duke i kënaqur vazhdimisht partnerët ndërkombëtarë. Abdixhiku sheh në këtë mes tamam një rrugë të tretë.
“E vërteta është e trishtë. Kosova nuk ka qenë kurrë më keq ndërkombëtarisht se sa sot.” Serbia nuk ka pasur kurrë më shumë përkrahje ndërkombëtare se sa sot.” – deklaronte në fjalën e tij të paralajmërimit Abdixhiku.
Kujtojmë se Kosova tashmë ka nisur të ndëshkohet nga Bashkimi Evropian derisa janë paralajmëruar ndëshkime edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës./nacionale