Një delegacion i Lidhjes Demokratike të Kosovës, i prirë nga kryetari Lumir Abdixhiku, ka qëndruar për një vizitë dyditore në Rotterdam të Holandës, ku kanë marrë pjesë në Kongresin e Partive Popullore Evropiane.
Zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi, e ka konfirmuar se delegacioni i LDK-së në krye me Abdixhikun e kishte kërkuar asistencën e Ambasadës së Kosovës në Holandë, por nuk ishin përfillur nga ambasada atje, me arsyetimin se “janë të zënë me punë në Hagë”.
“Po, është kërkuar asistencë nga ambasada dhe e njëjta nuk është dhënë”, ka thënë Halimi për Demokracia.com.
Ajo ka treguar se LDK-ja ka vazhduar me kapacitetet e veta ta përfaqësojë Kosovën në Kongresin e EPP, me pjesëmarrje të jashtëzakonshme të udhëheqësve evropiane.
“Siç dhe jeni njoftuar, në këtë ngjarje të rëndësishme, z. Abdixhiku përpos pjesëmarrjes, ai ka prezantuar domosdoshmërinë e mbështetjes së shteteve e institucioneve evropiane ndaj Republikës së Kosovës dhe të ardhmes së saj evropiane. Po ashtu, në drejtimin e tij ndaj të gjithë liderëve të vendeve evropiane, ai u kërkoi mbështetje për Kosovën – në liberalizim, në anëtarësim drejt Këshillit të Evropës e në ngritjen e vëmendjes së BE-së ndaj Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor. Derisa, iniciativa e LDK-së dhe me sponzorizimin e partisë më të madhe austriake, Die Volkspartei (ÖVP), u votua rezoluta në mbështetje të liberalizimit të vizave të Kosovës. Takimi ka shërbyer dhe për një mori takimesh bilaterale, dhe për darkën e përbashkët të liderëve të Partive Popullore Evropiane”, ka thënë Halimi për Demokracia.com.
Në kongresin dyditor të partive politike politike evropiane është zgjedhur edhe kryetari i ri saj, Manfred Weber, i cili mori besimin e mbi 447 delegatëve nga gjithsej 502 delegatë të EPP-së.