Departamenti Amerikan i Shtetit, në raportin vjetor për luftimin e terrorizmit në rastin e Kosovës përgjatë vitit të kaluar, përmend edhe vendimin e kryeministrit Albin Kurti përgjatë Qeverisë Kurti I, ku u shfuqizua Koordinatori Nacional për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Luftimin e Terrorizmit.
“Zyra e Koordinatorit të CT/CVE u shfuqizua në shkurt. Në korrik, megjithatë, qeveria e re Hoti emëroi Ministrin e Brendshëm Agim Veliu si koordinator kombëtar CT/CVE”, thuhet në raportin e DASH-it për Kosovën, raporton lajmi.net.
Në një nga mbledhjet e para të kryeministrit Kurti përgjatë qeverisjes së parë, ishte edhe shfuqizimi i koordinatorëve nacional.
“Propozoj që të shfuqizohen edhe disa vendime që kanë të bëjnë me emërime të disa koordinatorëve, vendimet e propozuara janë si në vijim, vendimin për emërimin e koordinatorit për reforma shtetërorë, vendimi për emërimin e koordinatorit për ndryshime klimatike dhe ambientit, vendimi për emërimin e koordinatorit nacional për kulturë rini dhe sport, vendimi për udhëheqësit e projektit për menaxhimin dhe kontrollin e qeneve endacak, vendimi për emërimin e koordinatorit kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizimit, vendimi për emërimin e koordinatorit nacional për integrim dhe anëtarësim në NATO dhe vendimi për themelimin e taskforcës kundër narkotikëve dhe sigurisë në shkolla”, deklaronte Kurti në mbledhje.
Kryeministri Kurti propozoi që të shfuqizohen vendimet që kanë të bëjnë me emërime të disa koordinatorëve.
Megjithatë, Qeveria Hoti riktheu pozitën e koordinatorit për luftimin e terrorizmit, duke e vendosur në krye ish-ministrin e Punëve të Brendshme, Agim Veliun.
“Qeveria e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e mbajtur sot, e ka emëruar ministrin e Punëve të Brendshme, Agim Veliu, Koordinator Nacional për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Luftimin e Terrorizmit. Ky emërim nuk nënkupton assesi se është krijuar një pozitë e re. Në detyrën e koordinatorit ai nuk do të ketë as staf të ri, as pagesë shtesë”, thuhej në njoftim.
Në qeverisjen aktuale, pozitën e koordinatorit nacional për luftën ndaj terrorizmit e mban ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Për emërimin e tij është bërë e ditur nga Zyra e Kryeministrit në prill të këtij viti, ndonëse nuk i është caktuar ndonjë periudhë kohore e kohëzgjatjes së mandatit të tij.
“Në kuadër të përgjegjësive për zbatimin e strategjive sektoriale të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla është emëruar Koordinator Nacional për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe luftimin e terrorizmit”, thuhet në njoftim.
Përgjegjësitë e koordinatorit nacional për luftimin e terrorizmit janë si vijojnë:
koordinimin, bashkërendimin, monitorimin dhe raportimin e implementimit të politikave, aktiviteteve dhe veprimeve lidhur me çështjet e luftimit të terrorizmit dhe kundër ekstremizmit të dhunshëm;
– këshillimin e Kryeministrit lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me luftimin e terrorizmit, dhe ekstremizmin e dhunshëm dhe radikalizmin;
– koordinon aktivitetet e të gjitha institucioneve relevante në çështjet e luftimit të terrorizmit dhe masave kundër ekstremizmit të dhunshëm;
– koordinon, monitoron dhe mbikëqyrë zbatimin e dokumenteve strategjike të luftimit të terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm;
– pranon raporte informuese nga institucionet relevante, me qëllim të përgatitjes së dokumenteve strategjike analitike lidhur me luftimin e terrorizmit dhe ekstremizmin e dhunshëm;
– është përgjegjës dhe pikë kontakti ndërinstitucional dhe ndërkombëtar për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me terrorizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm, duke përfshirë koordinimin e organizimeve, donacioneve dhe projekteve vendore dhe ndërkombëtare;
– koordinon të gjitha raportimet rreth përgjegjësive dhe obligimeve të institucioneve të Republikës së Kosovës në nismat rajonale dhe ndërkombëtare që kanë të bëjnë me çështjen e luftimit të terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.