Profesori universitar,Blerim Latifi ka reaguar pasi kryeministri Kurti përkujtoi ish- kryeministrin serb Zoran Gjingjiq në 20 vjetorin e vrasjes së tij, shkruan Periskopi.
Latifi përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook ka treguar se Gjingjiq politikën e tij donte ta përdorte kundër aspiratave të Kosovës për pavarësi.
“Ideja se Gjingjiq mendonte për Kosovën jashtë skemave të nacionalizmit serb, është një mit të cilin e ushqeu edhe më shumë vrasja e tij. Sot e pamë se edhe kryeministri ynë po besojka në këtë mit.Fatkeqësisht”, ka shkruar ndër të tjera Latifi
Postimi i tij i plotë:
Dy atentateve serbe ua kanë pa hajrin shqiptarët. Atentatit mbi mbretin Aleksandri i Parë, në vitin 1903, dhe, 100 vite më pas, atentatit mbi kryeministrin Gjingjiq.
Të dy këta kishin diçka të përbashkët: synimim për largimin e Serbisë nga ndikimi rus dhe afrimin e saj me Perëndimin. Nëse ata do të jetonin për t’i përmbushur synimet e tyre, shqiptarët do t’i kishin punët shumë më vështirë.
Vrasja e mbretit Aleksandër nga një fraksion prorus i ushtrisë serbe, bëri që Serbia t’i kthehet orientimit gjeopolitik prorus. Kjo i bindi përfundimisht austro-hungarezët që të fillonin punën për krjimin e një shteti shqiptar, për të mos lejuar që përmes Serbisë proruse, ndikimi rus të shtrihej deri në Adriatik. 28 Nëntori 1912 ishte rezultat logjik i kësaj gjeopolitike austro-hungareze.
Gjingjiq ndoqi qasjen e mbretit Aleksandër. Ai donte një Serbi të distancuar nga Rusia dhe të afruar me Perëndimin. Këtë politikë ai donte ta përdorte kundër aspiratave të Kosovës për pavarësi. Eleminimi i tij e varrosi këtë politikë bashkë me të. Ata që erdhën pas tij nuk dolën dot nga hija e rrymës proruse dhe kjo pati ndikim të rëndësishëm në krijimin e bindjes perëndimore për pavarësinë e Kosovës si opcion pa alternativë.
Ideja se Gjingjiq mendonte për Kosovën jashtë skemave të nacionalizmit serb, është një mit të cilin e ushqeu edhe më shumë vrasja e tij. Sot e pamë se edhe kryeministri ynë po besojka në këtë mit.Fatkeqësisht.