Kryetari i komunës së Rahovecit Smajl Latifi, pas Homazheve që u bërën sot me rastin e 23 vjetorit të dëshmorëve Luan e Fatmir Nimanaj, Hasim Halilaj dhe Shkëlzen Haradinaj ka shkruar :
Lum kombi që ka të tillë burra trima si Shkëlzeni me shokë!
Në luftën tonë për liri kemi parë trimëri të papërsëritshme. Luftëtarë sypatrembur, të cilët u bënë mburojë për popull dhe Atdhe. Që të jetojë i lirë shqiptari, më 16 prill 1999, në Maznik të Deçanit, ranë burrërisht në një betejë fyt për fyt e të përgjakshme me forcat pushtuese serbe, Luan e Fatmir Nimanaj, Hasim Halilaj dhe Shkëlzen Haradinaj.
Luftëtarët tanë, krahas misionit për çlirimin e vendit kishin për detyrë edhe mbrojtjen e popullsisë civile, të cilën e kryen me përkushtim deri në flijimin e jetës së tyre. Kjo dëshmon për përgjegjësinë e lartë që kishin çlirimtarët tanë. Pra, me një anë nga ta kërkohej çlirimi i atdheut prej pushtuesit, njëkohësisht edhe mbrojtja e jetës së njerëzve prej masakrave që kryente pushtuesi serb. Në fakt këtë e dëshmuan luftëtarët sypatrembur të UÇK-së, të cilët me vetëmohim dhe me një moral shumë të lartë ushtarak, luftuan deri në fund për çlirimin e popullit tonë nga okupatori serb.
Gjaku i heronjve, na bënë të ndiejmë çdo ditë boshllëkun e dhimbjen e madhe, njëkohësisht, sot e përherë, edhe krenarinë e natyrshme.
Vepra e tyre është e pavdekshme dhe ndriçon rrugën tonë që kemi përpara vetes.
LAVDI!
/Gazeta Papirus/