Shkruan :Smajl Latifi
Ngjarje të dhimbjes krenare. Me 21 janar të vitit 1999 ishin nisur në një mision të rëndësishëm, të vështirë, por të domosdoshëm, luftëtarët e lirisë, Skënder Rexhepi- Komandant HEKURI, Fitim Duraku, drejtues, organizator dhe pjesë aktive e shumë veprimeve luftarake të Brigadës 124 “Gani Paçarizi”, Mustafë Bajraktari, veprimtar dhe luftëtar i përkushtuar në rrugën e lirisë (vdiq pas luftës) si dhe Xhavit Elshani, ish komandant i njësitit “Syri i Shqiponjës” të Br.124. Ata pasi e kishin mbushur makinën përplot me armë, predha dhe municione, që kishin destinacion ZOD dhe mbështetjen për Komandantin e saj Ramush Haradinajn, diku mbi fshatin Fortesë (Bellacërkë), përballen me pusinë e organizuar të forcave serbe. Në përballje me forcat serbe të pritës, do të bie në fushën e betejës, komandant “Hekuri” dhe do të plagosen rëndë e lehtë, Fitim Duraku, Xhavit Elshani dhe Mustafë Bajraktari. Makina e mbushur me armë, predha dhe municione do të merr flakë dhe do të digjet terësisht. Si pasojë e eksplodimit të makinës, nga plagët e marra, do të kaloi në amshim, Skënder Rexhepi.
Fitim Duraku, do të mbahet mend përherë si student i mirë i gjeografisë. Ishte i gjallë, dinamik, i përcaktuar qartë për të shtegtuar pa u tundur në rrugën e çlirimit dhe të bashkimit kombëtar. Ai qysh si i ri do të bëhet pjesë e veprimtarisë ilegale atdhetare, duke qenë aktivisht dhe shumë i përkushtuar në radhët e LKÇK-së. Fitimi ishte gjithnjë i kthjellët si kristali, i vendosur në idealet e larta të lirisë, i shoqërueshëm me shokët e luftës dhe të veprimtarisë.
Dëshmori Fitim Duraku bashkë me Enver Durakun, Bekim Gashin, Hida, Ismet, Isak, Sedat dhe Sinan Hotin, pastaj me Hysni Durakun, Muhamet Malsorin, Dalip Behrën, Ismail Gashin, Shukri e Xhemajli Hotin, Agim e Sami Nallin, Agim e Ragip Hotin, Nijazi Gashin etj., që të gjithë dëshmorë të lirisë dhe me shokë e bashkëveprimtarë të rënë e të gjallë gjithandej trojeve tona, bënë një punë të shkëlqyer në përgatitjen, organizimin dhe mobilizimin e njerëzve që do ta bëjnë më pas UÇK-në, si një vlerë dhe arritje të madhe kombëtare që ndryshoi përgjithmonë rrjedhat e historisë sonë. Ky brez atdhetarësh të udhëhequr nga mendjendrituri dhe atdhetari i guximshëm, profesor Ukshin Hoti do ta përjetësojnë me gjak e dhimbje emrin e tyre në analet e historisë më të re të popullit tonë.
Fitim Duraku është njëri nga gurët më të çmuar dhe më të fortë në kalanë e luftës për çlirim dhe bashkim kombëtar. Kurrë nuk do të harrohet fakti se, Fitim Duraku, edhe pas plagëve të marra mbi fshatin Fortesë, do të qëndroi i pathyeshëm, ashtu si trimat qëmoti për gati 3 muaj rresht. Asnjë ofshamë nuk e lëshon Fitim Duraku, gjatë 3 muajve sa ishte i shtrirë në spitalin ushtarak të Pagarushës.
Fitimit të plagosur, mbi kokë do t`i rrijë baca Islam, një njeri me zemër bujare, mbështetës i madh i djemve të luftës dhe çështjes së lirisë, i cili, dy ditë para fillimit të aksionit të forcave ajrore të NATO-s mbi caqet serbe, përderisa erdhi në shtëpinë e tij vetëm sa për t`i ndërruar rrobat, mjerisht, u vra me 26 mars 1999 bashkë me 4 vëllezërit e tij, Muharremin, Eqeremin, Ismetin, Isretin dhe djalin e Muharremit-Agimin si dhe shumë bashkëfshatarë të tjerë në Krushë të Madhe). Baca Islam do të përkujdeset jo vetëm për Fitimin, të cilin e kishte djalë, por edhe për luftëtarë të tjerë të plagosur në vijat e frontit të luftës.
Më datë 4 prill 1999 do të pushojë së rrahuri zemra dhe do të fluturoi në përjetësi shpirti i madh kryengritës i Fitim Durakut. Një ditë më parë, me 3 prill 1999, do ta fitoj pavdekësinë edhe djali i axhes shoku i tij i punës dhe i luftës, Enver Duraku, dëshmor i kombit.
Ne që mbijetuam luftën, e kemi për detyrë dhe për nder që sadopak të përpiqemi të ecim me hapa dinjitoz në rrugën e trasuar me gjak e jetë, në mënyrë që të përmbushim idealet e dëshmorëve.
Qoftë i përjetshëm kujtimi për Fitim Durakun!
Lavdi jetës dhe veprës së tyre!
SL