Analistja dhe ish-ambasadorja e Kosovës në Itali, Alma Lama ka komentuar zhvillimet e ditëve të fundit në veriun e Kosovës, ku situata është tensionuar pas protestave të dhunshme të serbëve, që po kundërshtojnë futjen e kryetarëve veriorë nëpër komunat përkatëse.
Ajo tha se pritet që ShBA të përshkallëzojë masat e marra ndaj Kosovës. Sipas saj, kjo situatë ka qenë e paralajmëruar më herët, pasi ndërkombëtarët e lajmëruan kryeministrin Albin Kurti, që të mos merrte vendime të njëanshme.
“Unë besoj se mund të ketë masa të tjera të përshkallëzuar. Si kjo që ndodhi tani nuk ka pasur asnjë gjuhë kaq deklarative dhe konfrontuese mes qeverisë së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ne kishim deklaratën e sekretarit Blinken, i cili thotë drejtpërdrejtë që mund të humbim nga këto raporte, kemi deklaratën e ambasadorit amerikan në Prishtinë që thotë se nuk kanë vullnet për të ndihmuar Kosovën në çështjen e njohjeve apo të integrimeve euro-atlantike dhe në këtë fushë mund të vijnë edhe sanksionet e tjera”, tha ajo për Euronews Albania.
“Po kështu në programe të ndryshme, që lidhen me sigurinë, me mbrojtjen deri te shpallja “non grata” për të gjithë ata që jo vetëm nuk dëgjojnë këshillat e SHBA-ve dhe të BE-së por që edhe nxisin tensione. Zoti Kurti po bën sikur është i befasuar, por ai ka qenë i paralajmëruar ditë më parë që të mos merrte vendime që shkaktojnë trazira””.