Zeqir Idrizi, 29 vjeçar, është personi i arrestuar sot nga Policia e Kosovës, pasi ai dje dyshohet se kishte goditur me veturë një vajzë 20 vjeçare në rrugën Fushë Kosovë – Prishtinë dhe kishte ikur nga vendi i ngjarjes.
Nga ky aksident prej ku iku Idrizi, 20 vjeçarja mbeti në gjendje tejet të rëndë shëndetësore dhe aktualisht është në gjendje kome në Klinikën e Intensives, raporton Demokracia.com.
Demokracia.com ka mësuar nga burime brenda prokurorisë se 29 vjeçari Zeqir Idrizi është arrestuar sot, pasi e kishte dërguar veturën me të cilën e kishte shkaktuar aksidentin për ta rregulluar në një autosallon.
Policia e Kosovës e ka arrestuar Zeqirin sot rreth orës 9:40.
“Ka qenë reagimi i shpejtë i hetuesve ai që ka mundësuar arrestimin e personit të dyshuar si dhe konfiskimin e automjetit të tipit Opel Corsa, i cili ishte i dëmtuar”, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Ndërkohë, gjendja e 20-vjeçares që u aksidentua të dielën vazhdon të jetë e rëndë.
Lidhur me këtë, shefi i Klinikës Intensive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Shaqir Uka, ka thënë se janë duke e vazhduar përkujdesjen ndaj vajzës.