Policia e Kosovës po kryen një operacion në një banesë në lagjen “Tre Rrokaqiejt” në Mitrovicë të Veriut, në bazë të informacioneve se aty ka laborator droge.
Zëvendësdrejtori rajonal për veriun, Veton Elshani, tha se gjatë aksionit janë konfiskuar edhe armë.
“Kemi nisur aksionin në bazë të informacionit se aty mund të ketë laborator droge. Kemi gjetur pajisje për laborator [droge], për kriptovaluta, shok-bomba, armë, municione”, tha Elshani..
Ekipit të REL-it nuk i është lejuar që t’i afrohet ndërtesës ku po kryet aksioni, por siç raportohet atyre u është thënë se bëhet fjalë për një banesë private.
Kjo nuk është hera e parë që Policia e Kosovës kryen aksione kundër drogës, apo kundër kriptovalutave në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.
Në shkurt të këtij viti policia zbuloi tre laboratorë droge në Mitrovicë të Veriut.
Po ashtu, në maj të vitit të kaluar, policia kishte shkatërruar dy laboratorë droge në Izvor, afër kufirit me Serbinë, ku ishin gjetur edhe sasi të mëdha të bimëve narkotike, të llojit marihuanë. Në prill të atij viti, ishte shkatërruar një laborator droge në Zveçan dhe ishin arrestuar katër serbë.
Autoritetet e rendit gjithashtu kanë kryer disa aksione në Kosovë – përfshirë në veri – kundër mihjes së kriptovalutave.