Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka kritikuar ashpër kryeministrin Albin Kurti mentalitet autokratik të qeverisjes dhe izolim ndërkombëtar të vendit.
Kreu i PDK-së përmes një postimi në Facebook, ka njoftuar se pas konsultave e diskutimeve të shumta që ka pasur muajt e fundit me qytetarë, përfaqësues të botës akademike, shoqërisë civile, me akterë të jetës publike, me përfaqësues të mediave, përfaqësues të sektorëve të ndryshëm, të hënën ka ftuar mbledhjen e Këshillit Drejtues të PDK-së, për të diskutuar për gjendjen e rëndë në vend dhe për rrugën që duhet ndjekur.
“Kryeministri Albin Kurti po e izolon Kosovën nga jashtë, duke i sjellë edhe sanksione nga aleatët tanë kryesorë, ndërsa po e keqqeverisë nga brenda, duke e vështirësuar mirëqenien dhe jetën e qytetarëve. Pas përjashtimit të Ushtrisë së Kosovës nga stërvitja e NATO-s, “Defender Europe 23″, tani edhe Bashkimi Evropian ka konfirmuar një sërë sanksionesh për vendin tonë, si pasojë e një qeverie aventuriere, e cila ka zgjedhur konfrontimin me aleatë, pas dështimit në çdo sektor përmes qeverisjes jokompetente. Me veprimet e tij, ky kryeministër i papërgjegjshëm po e vendosë Kosovën në hartën e vendeve të sanksionuara ku, nga Evropa, bëjnë pjesë vetëm Rusia, Bjellorusia, Moldavia e Republika Srpska”, ka shkruar Krasniqi.
Krasniqi ka theksuar se përveç stagnimit e degradimit në çdo sferë, Kosova tani po përjeton edhe sanksione nga miqtë ndërkombëtarë.
“Të gjithë e dimë se nëpër çfarë sfida ka kaluar vendi ynë që nga çlirimi, për të arritur shpalljen e pavarësisë e deri tek ndërtimi i institucioneve dhe zhvillimi i vendit. Këtë rrugëtim të suksesshëm e kemi bërë vetëm falë koordinimit të ngushtë dhe mbështetjes nga aleatët tanë strategjik, në krye të të cilëve janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndërsa, tash e mbi dy vjet të qeverisjes nga Albin Kurti, përveç stagnimit e degradimit në çdo sferë të jetës, Kosova po përjeton edhe sanksione nga miqtë e saj”, ka shtuar lideri i PDK-së.
Ai ka thënë se vendi nuk mund të mbetet peng i tekeve të kryeministrit Kurti.
“Situata nuk është normale dhe nuk mund ta simulojmë normalitetin. Qytetarët kanë nevojë për qartësi në këtë kohë konfuzioni. Dhe një gjë është më se e qartë: Kosova nuk mund të mbetet edhe më tutje peng e tekeve të Albin Kurtit”, ka theksuar Krasniqi