Kryesuesi i Kuvendit të Prishtinës, Fehmi Kupina nga sot do të veproj si i pavarur në detyrën e tij.
Kupina ka dhënë dorëheqje nga LDK pas seancës së sotme komunale.
Në adresimin e tij, Kupina ka thënë se është në shërbim të qytetarëve dhe asnjëherë të ndonjë subjekti politik.
Adresimi i plotë i Kupinës:
Të nderuar qytetarë,
E ndjej obligative të sqarohem sot në lidhje me seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal të Prishtinës, në respekt të të gjithë atyre që më besuan përfaqësimin. Ky besim për mua është i shenjtë dhe me ta marrë, jam munduar ta kuptoj drejt dhe të sillem konform tij dhe detyrës që pastaj më është dhënë si Kryesues i Kuvendit.
Në përputhje me Rregulloren e punës së Kuvendit dhe të Komiteteve, në pajtim me Ligjin dhe Statutin e Komunës, unë kam thirrë mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit. Siç dhe përcaktohet në këtë nen, anëtarët e Kuvendit janë njoftuar për kohën, datën dhe vendin e mbajtjes së mbledhjes, si dhe rendin e ditës, brenda afateve kohore që kërkohen.
Përtej obligimeve që si Kryesues të përmbushë kërkesat ligjore që mundësojnë mbajtjen e seancës, në funksionin që më është besuar, unë nuk jam në shërbim të një partie por të të gjithë përfaqësuesve të qytetarëve pa dallim. Çdo sjellje ndryshe do të ishte denigrim i pozitës dhe besimit të këtij funksioni. Prandaj, thirrja e kësaj seance s’është asgjë më pak e as më ndryshe sesa shërbim ndaj kryeqytetit dhe qytetarëve të tij, që më vullnet të lirë na kanë zgjedhur secilin t’i përfaqësojmë.
Unë në asnjë moment e as nga kurrfarë funksioni, s’mund të lejojë që ligjet, rregulloret e procedurat që i kemi vendosur e votuar vetë, t’ia nënshtrojë nevojave apo tekeve të një partie apo koalicioni. Çdo veprim i imi selektiv në këtë drejtim, është tjetërsim i funksionit dhe vullnetit qytetar.
Përfaqësimi qytetar është rezultat i garës elektorale që zhvillohet një herë në katër vite, dhe fuqia jonë si individë e parti përcaktohet nga besimi që na jepet në atë proces. Por, aty e tuje, s’mund të lejojmë që detyrën si përfaqësues ta shndërrojmë në garë të përditshme elektorale për katër vite sepse kështu anashkalohen obligimet me të cilat ngarkohemi si të zgjedhur të qytetarëve të kryeqytetit.
Pasur parasysh gjitha këto, unë do të vazhdojë ta kryej punën time sipas obligimeve ligjore. S’do të lejojë të përmbyset në asnjë moment vullneti i qyetarëve në shërbim të askujt. Dhe gjithsesi, duke qenë mirënjohës për besimin që më është dhënë dhe i përgjegjjshëm për funksionin që mbaj, do të jem në shërbim të plotë vetëm të interesave të Prishtinës dhe prishtinasve.
I juaji,
Fehmi Kupina,
Kryesues i Kuvendit Komunal të Prishtinës