Policia e Kosovës përdori gaz lotsjellës dhe shok-bomba për t’i shpërndarë qytetarët e tubuar para objektit komunal në Zveçan – komunë e banuar me shumicë serbe në pjesën veriore të vendit.
Paraprakisht, policia njoftoi se po asistonte kryetarët e rinj të komunave veriore: Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, për të hyrë në objektet zyrtare të komunave përkatëse.
I menjëhershëm ishte reagimi i Beogradit zyrtar, ku presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, dha urdhër për ngritjen e gatishmërisë luftarake të ushtrisë serbe në nivelin më të lartë.
Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq i cili sonte pritet të mbajë një miting në Serbi ka dhënë urdhët që Forcat e Armatosura të Serbisë të vihen në gjendje gatishmërie për shkak të ngjarjeve në në Veri.
“Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka lëshuar sot një urdhër për ngritjen e gatishmërisë luftarake të Forcave të Armatosura të Serbisë në nivelin më të lartë” raporton agjencia serbe e lajmeve Tanjug.
“Presidenti dhe komandanti i përgjithshëm Aleksandar Vuçiq kanë nënshkruar një urdhër për ngritjen e gatishmërisë luftarake të njësive të Ushtrisë Serbe në nivelin më të lartë dhe kanë urdhëruar që të lëvizin menjëherë në drejtim të vijës administrative me Kosovën dhe Metohinë”
Sipas informacioneve që siguroi ekipi i REL-it në terren, Policia e Kosovës ka hyrë në objektin e Komunës së Zveçanit.
Udhëheqësit e këtyre komunave me shumicë serbe – që të gjithë shqiptarë – u betuan një ditë më herët në ndërtesa publike, si shkollat, për shkaqe të sigurisë.
Ndonëse thanë se, së shpejti, do të nisin punën nga objektet komunale, nuk ishte e qartë se kur do të ndërmerrej një hap i tillë.