Murtaja afrikane e derrit është përhapur edhe në Dragash, ka bërë të ditur komuna përmes një njoftimi për media.
Në njoftimin për media thuhet se janë duke ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për eliminimin e kësaj sëmundje.
“Ju informojmë se në territorin e Komunës sonë tashmë edhe zyrtarisht është konfirmuar MURTAJA AFRIKANE e derrit. Shoqata e Gjahtarëve ‘Dhia e Egër’, së bashku me Drejtorinë e Bujqësisë dhe Pylltarisë në Dragash, si dhe institucionet relevante qeveritare, janë duke ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për eliminimin e kësaj sëmundje”, thuhet në njoftimin e komunës, të publikuar në faqen zyrtare në Facebook.
Tutje, thuhet se kjo sëmundje nuk transmetohet te kafshët tjera, as te njeriu, mirëpo kujdesi duhet të jetë maksimal, “pasi më herët nuk kemi pasur raste të tilla”.