Kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme e Britanisë së Madhe, njëherit deputetja Alicia Kearns, është shprehur e kënaqur pas takimit që presidentja e vendit, Vjosa Osmani pati me kryeministrin britanik, Rishi Sunak.
Ajo përmendi faktin se Britania e Madhe ishte një nga vendet e para që njohu pavarësinë e Kosovës.
“Ne ishim një nga vendet e para që njohëm pavarësinë e Kosovës dhe si mik i Kosovës duhet të përqafojmë rolin tonë të vazhdueshëm si paqeruajtës në të gjitha forumet”, tha Kearns, transmeton Klankosova.tv.
Kearns ditë më parë i ka dhënë mbështetje Qeverisë së Kosovës për situatën e krijuar në veri të vendit, duke thënë se faktorët ndërkombëtarë “duhet të ndalojnë para se të sulmojnë zyrtarët e zgjedhur në mënyrë demokratike që të marrin zyrat e tyre në veri të Kosovës”.
Ajo tha se në veri të Kosovës, bandat serbe “po paguhen dhe po armatosen nga Beogradi”, teksa rishpërndau artikullin e New York Times në lidhje me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
“Inkurajoj këdo që ndjek ngjarjet në Kosovë të lexojë artikullin e NYT për Vuçiqin dhe lidhjet e tij me grupet e krimit të organizuar dhe përdorimin e bandave për t’i realizuar interesat e tij”, tha Kearns.