Paneli i Gjykatës së Apelit ka rrëzuar apelet e parashtruara nga dy grupe individësh, kundër vendimit të Trupit Gjykues me të cilin u refuzuan kërkesat e tyre për të marrë pjesë si viktima në çështjen Thaçi dhe të tjerët.
Trupi gjykues ka konstatuar se krimet që personat pretendojnë se i kanë vuajtur, nuk përfshihen në kuadrin gjeografik apo material të aktakuzës.
Gjithashtu, Paneli i Apelit ka konstatuar se mbrojtësi i viktimave të refuzuara nuk e ka vërtetuar se trupi gjykues kishte bërë konstatim të gabuar kur nuk e kishte pranuar kërkesën, andaj edhe e ka rrëzuar mocionin.
Gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) do të vazhdojë të hënën e 10 korrikut me dëgjimin e dëshmitarit të prokurorisë.
Më 20 qershor, në gjykatoren e Speciales ka përfunduar dëgjimi i dëshmitarit të njëmbëdhjetë, seancë kjo e cila u pasua nga një konferencë mbi ecurinë e çështjes.
Aty, trupi gjykues ka theksuar edhe njëherë shqetësimin lidhur me ritmin e këtij procesi gjyqësor. Kryegjykatësi Charles Smith ka kërkuar seanca sa më shumë publike.
Gjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve.
Para trupit gjykues, ata janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.
Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.