Emisari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak ka folur në një konferencë online rreth takimit të ardhshëm të nivelit të lartë mes përfaqësuesve kosovarë e atyre serbë që do të mbahet në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
Në konferencën gjegjëse, diplomati sllovak ka deklaruar se tashmë ekziston një aneks i ri i zbatimit të marrëveshjes.
Ai ka thënë se si Kurti, ashtu edhe Vuçiq kanë pranuar që nuk ka se çfarë të diskutohet më për tekstin, ndërsa tani do të gjejnë formën më të mirë të implementimit.
Siç ka transmetuar Klan Kosova, Lajçak ka ripërsëritur faktin se PO-ja e përfaqësuesve ka qenë e mirëseardhur, ndërsa tani në radhë është moduli i zbatimit, që do të diskutohet në takimin e së shtunës.
“Presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti janë pajtuar se nuk ka nevojë për bisedime të reja për tekstin e marrëveshjes. Tani duhet të përcaktohet rendi i hapave të ardhshëm, afatet dhe kush duhet të bëjë atë. Kemi krijuar anekse në lidhje me zbatimin e marrëveshjes. Pas bisedimeve të mia në Prishtinë dhe Beograd, është duke u përgatitur një version i ri i aneksit, i cili do të diskutohet në Ohër të shtunën”, tha Lajçaku në konferencën “Evropa dhe Rusia në Frontin Ballkanik”.