Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, është shprehur i prerë për çështjen e hapjes së Urës së Ibrit. Ai ka thënë se nuk është koha për ta bërë një gjë të tillë.
Lajçak këtë e ka thënë në forumin e Delfit në Greqi, ku pjesëmarrës është edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shkruan Demokracia.com.
Emisari evropian e ka quajtur kalim nga kriza në tjetrën diskutimet për targat, energjinë elektrike e tokat, duke kërkuar nga pala kosovare dhe serbe të shmangin veprimet e një-anshme.
“Ne ende po na u duhet të përballemi me këtë përditë. Teksa flasim, në Mitrovicë ka pasur kërkesë që të hapet ura [Ura e Ibrit]. Atmosfera, dukshëm, nuk është që të ndodh një gjë e tillë”, deklaroi Lajçak, teksa tha se të dyja palët duhet të respektojnë vijat e kuqe të njëra-tjetrës.
Këshilltarët komunal në veri të Mitrovicës e kanë miratuar kërkesën për hapjen për qarkullim të urës kryesore mbi lumin Ibër. Kjo është bërë me propozimin e asamblistes nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Aida Ferati-Doli.
Reagimi i Lajçak është i pari që vjen nga ndërkombëtarët lidhur me propozimin e VV-së në komunën veriore të Mitrovicës për hapjen e Urës së Ibrit.