Gazeta Sinjali raportoi sot ekskluzivisht për një rast të keqpërdorimit të besimit, që është raportuar në Polici nga pronari i kompanisë “Blini Union” në Prishtinë, i cili e denoncoi ish-punëtorin e tij, se i ka përvetësuar kundërligjshëm mbi 38 mijë euro.
Burimet nga Prokuroria bëjnë me dije se i arrestuari për këtë rast është Fatjon Azizi, 27-vjeçar, i cili tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor.
Ai po dyshohet se ka marrë një shumë të të hollave prej mbi 38 mijë euro, të cilat dyshohet se i kishte marrë gjatë kohës sa po ushtronte punën e arkëtarit në këtë biznes për disa muaj me radhë.
Sipas informacioneve që posedon Sinjali, pronari i këtij biznesi pas dyshimeve të ngritura për keqpërdorim nga ish-punëmarrësi i tij, i cili tashmë nuk është pjesë e kësaj kompanie, ka vendosur që ta denoncojë në Polici dhe ta ndjek ligjërisht të dyshuarin.
Si rezultat i raportimit të rastit para dy ditësh, Prokuroria ka urdhëruar arrestimin dhe ndalimin e të dyshuarit, ndaj të cilit tashmë janë siguruar edhe dëshmi që do të provojnë përfshirjen e tij në këtë rast.
Policia ka arritur që ta arrestojë personin e dyshuar gjatë ditës së djeshme dhe i njëjti është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku është përballur me denoncimin e ish-shefit për përvetësimin e mijëra eurove, që i menaxhonte gjatë kohës sa ishte pjesë e këtij biznesi.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i njëjti është dërguar në mbajtje për 48 orë dhe ndaj tij është iniciuar rasti si “Keqpërdorimi i besimit”.
Ndryshe, të gjithë ata që nuk përmbushin detyrimet ose keqpërdorin besimin e dikujt, për të fituar dobi pasurore në formë të kundërligjshme ndiqen penalisht dhe mund të dënohen edhe me burgim. Raste të tilla janë të shpeshta dhe ndodhin kryesisht në biznese private në Kosovë.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.