Gazeta Sinjali raportoi pak më parë për një ngjarje të rëndë që ka ndodhur sot në fshatin Pirqe të Mitrovicës, ku një familjar i familjes Bajraktari ka humbur jetën derisa ishte në orar të punës, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se i ndjeri është Bahri Bajraktari, 52-vjeçar.
52-vjeçari ishte punëtor i Kompanisë për Menaxhimin e Mbeturinave për rajonin e Mitrovicës “Uniteti” ku sipas informacioneve të Sinjalit, ai kishte ndërruar jetë teksa po mblidhte mbeturina.
Posa rasti është raportuar, në vendin e ngjarjes kanë dalë ekipi mjekësor, ku pas ekzaminimeve për shenjat vitale në trupin e viktimës, mjeku ka konstatuar se ai ka ndërruar jetë.
Sinjali mëson se në trupin e viktimës nuk janë vërejtur shenja dhune, mirëpo ende nuk dihet shkaku i vdekjes.
Ndërkohë kanë intervenuar edhe Policia e Kosovës, për të kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit. Dy kolegë të të ndjerit që ishin bashkë me të në momentin kritik kanë dhënë deklaratat e tyre.
Lidhur me rastin është vënë në dijeni edhe Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit si “Herim mbi vdekjen” dhe ka urdhëruar që trupi i pajetë të dërgohet në IML për obduksion.