Rastet e dhunës në familje sa vijnë e shtohen përditë në vendin tonë. Zakonisht janë gratë ato të cilat kërkojnë mbrojtje institucionale për shkak të dhunës që përjetojnë kryesisht nga bashkëshortët e tyre, por edhe nga anëtarët tjerë të familjes. Për një rast të tillë që ka ndodhur në Lipjan, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet dhe në pranga ka përfunduar një mësimdhënës.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë bëjnë me dije se bëhet fjalë për Shpëtim Azemin, 41-vjeçar, i cili është denoncuar nga bashkëshortja e tij 25-vjeçare, e cila është ankuar se bashkëshorti i saj e ka sulmuar atë fizikisht.
Viktima, e cila ishte nxënëse e të dyshuarit, me të cilin më pas u martuan, ka treguar se rasti ka ndodhur në shtëpinë e tyre në rrugën ‘Shën Flori’ në Lipjan, ku pos dhunës psikike të cilën dyshohet se ia shkaktoi i dyshuari në sy të fëmijëve, ai edhe e ka rrahur, duke i shkaktuar lëndime trupore.
Sinjali raportoi sot se njësitë policore kanë arritur që ta arrestojnë të dyshuarin dhe i njëjti është shoqëruar në stacion policor për intervistim. Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që 41-vjeçari të dërgohet në mbajtje për 48 orë dhe i njëjti të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.