Një ngjarje e rrallë dhe skandaloze ka ndodhur më 2 maj 2025 në Mitrovicë, që ka tronditur themelet e sigurisë institucionale.
Një person i dyshuar për armëmbajtje pa leje, jo vetëm që nuk u neutralizua siç parashihet me protokoll, por arriti të vjedhë armën zyrtare të një polici brenda vetë stacionit dhe të dalë nga aty me të në brez – pa u vërejtur nga askush.
Burime të Gazetës Sinjali konfirmojnë se bëhet fjalë për Riad Tahirin, 25-vjeçar, i cili po intervistohej në Stacionin Policor të Mitrovicës së Jugut për rastin e armëmbajtjes pa leje.
Gjatë kohës sa ndodhej në stacion, ai ka përfituar nga pakujdesia e zyrtarëve dhe ka marrë një revole Gllock me karikator dhe 15 fishekë, që ishte armë personale e një zyrtari policor.
Për më tepër, me armën e vjedhur të fshehur në brez, Tahiri është transferuar në Stacionin Policor në Mitrovicë të Veriut, pa u kontrolluar siç duhet. Vetëm pas mbërritjes në stacionin tjetër, gjatë kontrollit të plotë, arma është zbuluar në trupin e tij.
Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin e tij për 48 orë dhe është iniciuar rasti për “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Vjedhje e rëndë”. I dyshuari është dërguar në mbajtje. /Gazeta Papirus./