Rastet e ndryshme në të cilat përfshihen kosovarët nën dyshimin se kanë vepruar kundërligjshëm i detyrojnë ata që të angazhojnë avokatë, që t’iu ndihmojnë për mbrojtjen e interesave të tyre të ligjshme, me dhënien e ndihmës juridike dhe mbrojtjen e tyre. Shpenzimet e mbrojtjes duhet t’i paguajë klienti, duke e paguar avokatin për përfaqësimin e tij, duke lidhur marrëveshje paraprake, raporton Gazeta Sinjali.
Pagesa për trajtimin e një rasti të para disa viteve një avokati nga Lipjani i ka kushtuar me kanosje serioze. Bëhet fjalë për avokatin Shpëtim Sadikun, i cili para dy ditësh e ka denoncuar në Polici një ish-klient, që po dyshohet se e ka kushtëzuar në lidhje me kthimin e një shume të të hollave.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se Sadiku ka qenë avokat i tashmë të dyshuarit A.T., në vitin 2016 dhe ishte paguar 4 mijë euro për mbrojtjen e tij. Ndonëse nuk dihen detaje se si palët ishin marrë vesh për pagesë, ish-klienti i tij, tashmë po kërkon nga avokati 3 mijë euro, nën pretendimin se do të duhej ta paguante vetëm 1 mijë euro.
Bazuar në dëshminë e Sadikut të dhënë në stacionin policor në Lipjan, i dyshuari e ka kanosur duke i thënë se “Nëse nuk mi kthen paratë, do të vras”, thonë të njëjtat burime. Përballë kësaj situate, ai ka kërkuar ndihmën e Policisë, duke e raportuar në detaje rastin.
Si rezultat i denoncimit, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarit dhe nisjen e hetimeve ndaj tij, për veprën penale “Kanosje”.
Për të marrë një deklaratë në lidhje me rastin, Sinjali ka kontaktuar edhe avokatin Sadiku, por i njëjti ka refuzuar të flasë, duke u shprehur shkurt “Nuk është me rëndësi. Mos me shqetësoni”.
Ndryshe, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës “Kushdo që seriozisht e kanos personin tjetër me fjalë, vepra apo gjeste se do t’i shkaktoj ndonjë të keqe me qëllim të frikësimit ose të shkaktimit të ankthit te personi i tillë, dënohet me gjobë ose me burgim deri në gjashtë (6) muaj.”
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.