Personi që shikoni në foto është Erion Çela 35-vjeçari që mbeti viktimë e plumbave nga atentati i ndodhur një ditë më parë në zonën e Don Boskos në Tiranë.
Viktima Erion Çela ishte në tavolinë së bashku me gruan shtatzënë, e cila ishte larguar vetëm pak minuta përpara se të zbraznin kallashin atentatorët.
Pasditen e djeshme policia ka marrë në pyetje dy nga katër të plagosurit që ndodhen në Spitalin e Traumës. Burime bëjnë me dije për gazetaren e ABC Xhensila Kodra, se dëshmia e Arben Danit dhe 19 vjeçarit Azbi Selimaj nuk i ka ndihmuar hetuesit për të identifikuar autorët.
Ata kanë thënë se nuk kanë mundur të shohin asgjë vetëm kur janë hasur me breshërinë e plumbave. Arben Dani është mik i viktimës dhe personave të tjerë që ndodheshin në tavolinë me të dhe kishte ardhur nga Durrësi për t’i takuar.
Si ndodhi ngjarja e rëndë një ditë më parë
Atentati ndodhi rreth orës 16:15, në zonën e “Don Boskos” në Tiranë. Personat e armatosur lëviznin me një automjet tip “Mercedes E Class” të zi dhe vetëm njëri prej tyre ka qëlluar me breshëri kallashnikovi nga jashtë në drejtim të lokalit, ku ndodheshin të ulur në një tavolinë viktima dhe personat e tjerë. Për pasojë ka mbetur i vdekur në vend Erion Çela si dhe janë plagosur katër të tjerë, të cilët janë dërguar te spitali i Traumës.
Të plagosurit janë: Arben Dani 46 vjeç, Blerim Çela 28 vjeç, vëllai i viktimës, Edmond Crroj , 41 vjeç daja i viktimës dhe Azbi Selimaj, 19 vjeç. Ky i fundit ishte klient në lokal i ulur në tavolinën ngjitur dhe fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.