Kuvendi i Kosovës do të mbajë tri seanca plenare gjatë kësaj jave. Deputetët fillimisht do të mblidhen të mërkurën me 7 qershor për të shqyrtuar një mori pikash të papërfunduara nga seancat e kaluara, kurse të enjten do të mbajnë fillimisht një seancë të veçantë plenare ku do të shqyrtohet Projektligji për reformën zgjedhore, ndërsa pas kësaj do të mbahet seanca e rregullt me pika të tjera në rend të ditës.
Kjo u vendos sot në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit.
Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, tha se ka një konsensus mbipartiak për miratimin e reformës zgjedhore, derisa bëri të ditur se të enjten pritet të shqyrtohen edhe katër marrëveshje ndërkombëtare.
“Jemi dakorduar të gjitha grupet parlamentare me një konsensus mbipartiak për reformën zgjedhore që të enjten të trajtohet si pikë e veçantë. Pas asaj hapet një seancë e re, e cila si zakonisht ka pikat e rregullta dhe ka katër marrëveshje ndërkombëtare”, tha ajo para mediave.
Miratimin e reformës zgjedhore e konsideroi të nevojshëm edhe shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.
“(Reformën Zgjedhore) Kemi arrit me përmbyllë dhe me bërë një punë jashtëzakonisht të mirë, të gjitha grupet parlamentare që kemi qenë pjesë e këtij komisioni. Më në fund do t’i dërgohet për trajtim seancës të enjten në orën 10:00, si pikë e veçantë. Ju e dini se janë disa ndryshime esenciale dhe thelbësore të sistemit tonë zgjedhor. Duke filluar nga vota preferenciale, propozimet që janë bërë, nga lehtësimi i votimit të diasporës, pastrimit të ligjit me një pjesë të dispozitave që nga koha e UNMIK-ut, çështjen e numërimit të votave dhe shumë çështje të tjera”, theksoi Tahiri.
Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, tha se do të propozojnë rritje të koeficientit të pagave nga 105 në 129 euro, përmes amendamentimit të Ligjit të buxhetit.
“Për neve si AAK është e rëndësishme interpelanca ndaj ministrit të Financave, Hekuran Murati, që ndërlidhet me koeficientin për zyrtarët publikë, rritjen e koeficientit me një amendamentim të Ligjit për Buxhet nga 105 në 129 sa ne kemi rekomanduar dhe të njëjtën kohë dislokimin e mjeteve për projektet kapitale”, theksoi ai.
Po ashtu, në mbledhjen e sotme të Kryesisë u bë e ditur se do të dalë në pension sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi.
I njëjti në një adresim para mediave, u shpreh falënderues ndaj të gjithë bashkëpunëtorëve të tij në 17 vjet që ka mbajtur këtë post.
“Jam i kënaqur që kam arritur që afër 17 vite të jem krahu i djathtë i të gjithë deputetëve të cilët kanë pasur nevojë për këshillat e administratës. Ndërsa juve(mediave) një falënderim të veçantë për përcjelljen e punës sonë të drejtë, të saktë dhe me kohë”, deklaroi ai./kp