Donjeta Sahatçiu është emëruar sot nënkryetare e Komunës së Prishtinës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës.
Emërimi i saj në këtë pozitë është bërë i ditur nga nënkryetari i kësaj partie, Uran Ismaili, në një konferencë për media.
Sahatçiu është kushërirë e afërt e këngëtares me famë botërore Rita Ora, për të cilën kohë më parë pati shkruar Daily Mail.
Në një intervistë të vitit 2016 dhënë për gazetën prestigjioze, motra e Donjetës, Dorotea, kishte rrëfyer problemet e saj që kishte për të arritur t’i afrohej këngëtares Rita Ora në edicionin e vitit 2015 të “X Factor” në Britani të Madhe.
“Daily Mail” shkruante se Rita, që tani është sensacion dhe një milionere, ndërsa kushërirat e saj Dorotea e Donjeta jetojnë akoma në një “territor kontrovers politik në Ballkan”.
Por pas këtyre shkrimeve pati reaguar nëna e këngëtares, Vera, përmes rrjeteve sociale duke thënë: Dorotea Sahatçiu: Ti ndoshta nuk e di për këtë por ti apo kushdo tjetër nuk duhet të jap intervistë pa pyetur, sepse gazetarët dinë të jenë edhe hileqarë ndërsa ti gjithashtu praktikisht nuk e njeh Ritën” pati shkruar ajo.
Ndryshe nënkryetarja e re e kryeqytetit kosovar nuk ka llogari në rrjete sociale dhe nuk dimë nëse kushërirat kanë krijuar kontakt me njëra-tjetrën.