Dy britanikë dhe një maroken të kapur robër nga forcat ruse në Ukrainë janë shpallur fajtorë dhe janë dënuar me vdekje në një gjykatë të panjohur në Donetsk, territor i kontrolluar nga rebelët pro-rusë. Ata janë ish-luftëtarë të ushtrisë ukrainase, të cilët u kapën në Mariupol nga forcat ruse.
Një nga britanikët është Aiden Aslin, 28 vjeç, historinë e të cilit BBC e ka ndjekur në të kaluarën. Aslin është nga Newark në Nottinghamshire dhe familja e tij tha se ai u transferua në Mykolaiv në Ukrainë në vitin 2018.
Ai u bë marinar me ushtrinë ukrainase në vitin 2018, u martua me një ukrainase dhe e kishte Ukrainën si shtëpinë e tij, përcjell abcnews.al. Që nga kapja e tij, ai është shfaqur në foto dhe video në televizionin rus, në të cilat dukej i mavijosur dhe i fryrë teksa merrej në pyetje.
Tjetri është Shaun Pinner, 48-vjeç dhe me origjinë nga Bedfordshire. Familja e tij tha se ai ishte një ushtar i respektuar në Ushtrinë Britanike përpara se të transferohej në Ukrainë katër vjet më parë për të përdorur përvojën e tij të mëparshme dhe stërvitjen me ushtrinë ukrainase.
“Shaun gëzonte mënyrën e jetesës ukrainase dhe e konsideronte Ukrainën si vendin e tij të adoptuar gjatë katër viteve të fundit. Gjatë kësaj kohe, ai takoi gruan e tij ukrainase, e cila është shumë e fokusuar në nevojat humanitare të vendit,” thanë ata.
Kontrata trevjeçare e Pinnerit do të skadonte në fund të vitit dhe ai po planifikonte të hynte në një rol humanitar në vend, sipas familjes së tij.
“Shaun është një burrë, djalë, baba, vëlla dhe mik shumë i dashur, me qëllime të mira për shumë njerëz”, thanë ata.