Më 2005 administrata e George W.Bush e emëroi atë përfaqësues të posaçëm në negociatat për statusin e Kosovës si shtet sovran, negociata që çuan në pavarësinë e Kosovës më 2008.
Frank Wisner, ish i dërguari i Shteteve të Bashkuara për bisedime lidhur me statusin e Kosovës, ka vdekur në moshën 86-vjeçare.
Djali i tij, David, tha se ai vdiq pas komplikimeve shëndetësore të shkaktuara nga kanceri në mushkëri.
Diplomati amerikan, Wisner kishte udhëhequr ambasadat amerikane në Zambia, Egjipt, Filipine dhe Indi dhe kishte mbajtur poste të larta në administratat republike dhe demokrate dhe ishte i lidhur me nisma që sollën ndryshime në rajone sikurse Ballkani e Afrika e Jugut.
Teksa po largohej nga Departamenti i Shtetit, Wisner i kishte ndihmuar administratës së presidentit Bill Clinton në negociatat me Qeverinë në Moskë të Boris Yeltsinit, për të ulur shitjen e armëve ruse tek Irani.
Wisner më 1997 u tërhoq nga puna si diplomat, por vazhdoi punën në sektorin privat, në disa role këshilluese, por mori edhe disa misione zyrtare.
Më 2005 administrata e George W.Bush e emëroi atë përfaqësues të posaçëm në negociatat për statusin e Kosovës si shtet sovran, negociata që çuan në pavarësinë e Kosovës më 2008.
Në një intervistë dhënë për Radion Evropa e Lirë dhjetorin e vitit të kaluar, Wisner foli për raportet mes Kosovës dhe Serbisë.
Ai tha se sot e kësaj dite, Serbia nuk është e gatshme të pranojë realitetin e një Kosove të pavarur, prandaj tha se marrëveshjet e arritura mes dy shteteve nuk do të funksionojnë.
Sipas tij, “derisa në Beograd nuk ka një vendim politik për pranimin e sovranitetit të Kosovës, unë nuk shoh rrugëdalje, gjithçka tjetër është çështje dytësore”.
I pyetur se çfarë këshillash do t’i jepte udhëheqësve në Kosovë dhe Serbi, por edhe komunitetit ndërkombëtar lidhur me mosmarrëveshjet në rajonin e Ballkanit Perëndimor, Wisner deklaroi se mënyra më e mirë për t’u marrë me mospajtimet është që të flitet për to dhe që të njëjtat të adresohen.
“Për shembull, unë nuk pres që Serbia ta pranojë pavarësinë e Kosovës. Ajo duhet, por nuk do ta bëjë. Ato që mund të ndodhin, janë marrëveshjet e pjesshme për tregtinë, për lëvizjen e njerëzve, për bashkëpunimin kulturor. Këta do të ishin hapa praktikë për bashkëpunimin ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe ia vlen të ndiqen”, deklaroi ai.

Ndërkaq, lidhur me administratën e presidentit Donald Trump, ai deklaroi se ishte herët të thuhej se çfarë mund të pritej lidhur me Ballkanin Perëndimor.
“Administrata e mëparshme e Trumpit ka pasur një sërë idesh, që synonin arritjen e një marrëveshjeje territoriale… Çdo lëvizje drejt këtij objektivi, nuk do të shkaktonte gjë tjetër veçse telashe në Ballkanin Perëndimor. Shpresoj që kjo nuk do ta tundojë administratën e re”, deklaroi ai.
Në Kosovë, figura politike kanë reaguar pas vdekjes së Wisnerit.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se Wisner ishte një mik i çmuar i Kosovës.
“Karriera e tij e gjatë dhe e ndritur në shërbim të diplomacisë amerikane, përfshirë rolin e tij si emisar në bisedimet për statusin e Kosovës, ka lënë një gjurmë të pashlyeshme në historinë tonë”, tha Presidenca e Kosovës.
Ndërkaq, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se Wisner kishte luajtur rol vendimtar për pavarësinë e Kosovës.
“Përkushtimi, profesionalizmi dhe vizioni i tij për një Kosovë të lirë dhe demokratike do të mbeten përjetësisht në kujtesën e popullit tonë”, tha Haradinaj.
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka thënë se ka pasur nderin që për më shumë se dy vite të punonte me të gjatë negociatave për statusin final të Kosovës.
Haziri ka thënë se Wisner ishte i pari që i kishte thënë në Vjenë se “Pavarësia po pranohet sepse ne amerikanët u kemi premtuar këtë në krishtelindjet e vitit 1990 dhe e mbajmë fjalën. Rruga që Presidenti Rugova e ndërtoi për Liri, Pavarësi e Demokraci, do të bëhet. Keni mandat të madh por historia do t’ju mbaj në mend”.
Pas tërheqjes nga shërbimi diplomatik amerikan, Wisner kishte shprehur shqetësime lidhur me mënyrën se si SHBA-ja e kishte ushtruar fuqinë e saj globale, duke nisur nga lufta në Vietnam në vitet ’60 e deri te konfliktet në Irak dhe Afganistan.