Kryeministri Albin Kurti gjatë ditës së sotme në një seancë të veçantë në Kuvend bëri publike një listë emrash të personave të cilët po marrin pjesë në protestat në veri të Kosovës.
Emrat që Kurti përmendi janë personat që janë identifikuar pas sulmeve ndaj Policisë së Kosovës, pjesëtarëve të KFOR-it e gazetarëve.
Të maskuarit të cilët janë të shumtë e që kryen sulme të shumta sidomos në Zveçan, Kurti tha se po udhëhiqen nga ish-kapiteni i Policisë së Kosovës, shef i operacioneve në veri të vendit, Aleksandar Filipoviq.
“Personat që po i shohim të maskuar në video dhe fotografi janë të udhëhequr nga ish- kapiteni i Policisë së Kosovës, Aleksandar Filipoviq, që shtirej se është integruar në shtetin tonë. Ky është personi kryesor që po i drejton ata. Më 29 maj të këtij viti ka rrahur një qytetar serb në Leposaviq pasi ai ka qenë duke incizuar me telefon”- tha Kurti në Kuvend.
Filipoviq është njëri nga të parët që ofroi dorëheqje nga pozita që mbante në Policinë e Kosovës në nëntor të vitit të kaluar, pasi Policia e Kosovës suspendoi nga detyra drejtorin e Policisë në veri, Nenad Gjuriq.
Ai në takimin që kishin thirrur Lista Serbe në atë kohë iu drejtua të pranishmëve dhe komandantëve të stacioneve të tjera me një fjalim dhe në fund tha “mjaft ishte” dhe nisi të zhvishte uniformën, veprim ky i cili u përsërit edhe nga kolegët e tij serbë.
Aleksandar Filipoviq deri në nëntor të vitit të kaluar veproi si shef i operacioneve të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut. I njëjti ka qenë pjesëtar i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, ndërsa është bërë pjesë e Policisë së Kosovës pas Marrëveshjes së Brukselit.
Filipoviq ishte nderuar për këtë veprim që kishte bërë edhe nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq me medaljen e artë për guxim ‘Millosh Obiliqi’”, e cila u tha se jepet për veprime në të cilat del në pah guximi personal.
Në vitin 2016, Filipoviq ishte zgjedhur edhe komandant i stacionit policor në Leposaviq
Gjithashtu, informacionet që ka siguruar KALLXO.com tregojnë se Filipoviq ka qenë edhe pjesë e rekrutimit të anëtarëve të Mbrojtjes Civile, grup ky i cili ka funksionuar në sistemin serb por që pretendohej se është shpërbërë zyrtarisht në bazë të Marrëveshjes së Brukselit.
Përveç Filipoviqit, KALLXO.com gjatë kohës sa ka qëndruar duke raportuar në veri të Kosovës ka parë edhe ish- policë që kanë marrë pjesë në protesta.
KALLXO.com publikoi një shkrim në mars të këtij viti me dhjetëra dosje të ish- policëve në veri të cilët kishin qenë të përfshirë në veprimtari kriminale.
Zbulim i fshehtësisë zyrtare, manipulim me prova, keqpërdorim i detyrës, mashtrim, mundësim i arratisjes për personat e dënuar, dhunim, sulm seksual, nxitje e përçarjes, janë vetëm disa prej veprave penale që përmenden në regjistrat e Inspektoratit Policor të Kosovës për ish-policët e dorëhequr në veri të Mitrovicës.
Numri i atyre që ofruan dorëheqje vitin e kaluar nga pozitat e tyre në stacionet policore në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës është 573.
Në këto dorëheqje nuk hyn edhe ai i ish- drejtorit në veri të Mitrovicës, Nenad Gjuriq, i cili me vendim të plotëfuqishëm është larguar nga Policia e Kosovës në lidhje me veprimet të cilat kishte kryer duke mohuar detyrat e përcaktuara me ligje dhe rregullore të institucionit që i shërbeu.
Dy kapitenë, pesë togerë, shtatë rreshterë, 77 policë, një polic i ri dhe tre zyrtarë shërbyes civilë të nacionalitetit serb të cilët ishin pjesë e institucionit të Policisë së Kosovës janë hetuar gjatë dhjetë viteve të fundit nga IPK.