Krimi makabër që ndodhi ditën e djeshme në qytetin e Pejës, tronditi të gjithë vendin. Në mënyrë çnjerëzore, 31-vjeçari Urim Hyseni, dyshohet se privoi nga jeta nënën e tij, Hyrije Broqi Hyseni, duke ia prerë kokën me thikë. Për më tepër, ai dyshohet se kreu akte kanibalizmi, duke i pirë gjakun së ëmës, raporton Gazeta Sinjali.
Gazeta Sinjali nga fillimi ka raportuar lidhur me rastin tragjik, duke ndarë detaje tronditëse nga krimi brenda familjes, ku koka e viktimës u gjet e këputur në një tavolinë në bodrumin e shtëpisë, ndërsa trupi në katin e parë të shtëpisë.
Në ndjekje të raportimit, Sinjali ka diskutuar edhe me persona të afërt të familjes Hyseni, të cilët përveç që kanë shprehur dhimbjen e madhe, në kushte anonimiteti kanë treguar detaje të rënda.
Kanë qenë anëtarët e familjes së gjerë, ata që fillimisht kanë vërejtur se në shtëpinë e së ndjerës, po ndodh diçka e pazakontë, pasi që sipas tyre, ofshamat janë dëgjuar edhe jashtë shtëpisë.
Sipas të afërmeve të familjes, personi i parë që ka dalë në vendin e krimit dhe më pas ka kumtuar lajmin e kobshëm, ka qenë kunata e së ndjerës, e cila për më tepër, kishte tentuar që ta parandalojë Urimin duke e pyetur se a e kanë lënë mendtë dhe më pas ka thirrur për ndihmë.
Ata kanë treguar për Sinjalin mënyrën se si morën vesh për lajmin nga kunata e së ndjerës, e cila ka rrëfyer gjithë skenën rrëqethëse që ka parë në hyrjen e shtëpisë së familjes Hyseni.
Bazuar në rrëfimin e dëshmitares dhënë familjarëve, posa ka hyrë në shtëpi ka parë gjithë tmerrin që ka ndodhur dhe sipas saj, e ndjera ishte ende me shenja jete, ndonëse i dyshuari, Urimi, po mbante akoma thikën në fytin e saj.
Kunata e Hyrijes u ka komunikuar familjarëve se ka tentuar që ta parandalojë Urimin dhe i ka kërkuar që ta lëshojë thikën e të largohet që aty dhe më pas sipas saj, 31-vjeçari në praninë e saj ka pirë gjakun e nënës së tij i cili ishte bërë pellg në ambientet e brendshme të shtëpisë.
E thika e cila fillimisht u largua nga dëshmitarja e rastit, ra sërish në dorën e të dyshuarit, i cili sipas kunatës së të ndjerës, prapë është nisur në drejtim të 58-vjeçares duke bërtitur se ajo [nëna] ia ka shkatërruar jetën.
Dëshmitarja e tmerruar ka dalë nga shtëpia dhe ka bërë thirrje për ndihmë dhe pas pak çastesh, jashtë shtëpisë ka dalë edhe i dyshuari, mëson Sinjali.
Kunata e së ndjerës u ka thënë personave të afërm me familjen, se pasi është kthyer brenda shtëpisë ka parë se i dyshuari ia ka këputur kokën nënës së tij dhe në katin e parë të shtëpisë ndodhej vetëm trupi.
Lajmin për vdekjen tragjike, ajo ia ka dhënë edhe bashkëshortit të viktimës, respektivisht babait të të dyshuarit dhe kunatës tjetër.
E në ato momente, Urimi dyshohet se ka sulmuar edhe babain e tij dhe hallën të cilët kanë ikur me shpejtësi për të kërkuar ndihmë.
Me të marrë informatën, Policia dhe njësitë tjera relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes për të kryer ekzaminimet e nevojshme. Pas këqyrjes në vendin e ngjarjes, në një tavolinë në bodrum është gjetur koka e viktimës, e cila ishte këputur nga trupi. Ndërsa trupi u gjet i larë në gjak në katin e parë të shtëpisë.
I dyshuari, Urim Hyseni, është arrestuar menjëherë dhe gjatë intervistimit në Polici, ai nuk është deklaruar lidhur me rastin.
Brenda afatit ligjor, Prokuroria Themelore në Pejë ka parashtruar kërkesën në Gjykatën kompetente për caktimin e masës së paraburgimit.
Kjo kërkesë u aprovua sot, ku sipas një komunikate për media nga Gjykata Themelore në Pejë, të dyshuarit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Vrasje e rëndë’.
“Duke pas parasysh se i pandehuri është duke u hetuar për vepër të rëndë penale për të cilën Kodi Penal ka paraparë dënim me burgim jo më pak se dhjetë (10) vjet burgim ose me burgim të përjetshëm dhe se i pandehuri posedon leje qëndrimi jashtë shtetit, rrethana këto të cilat gjykata ka vlerësuar se tregojnë rrezikun e lartë se me gjetjen e të njëjtit në liri apo nën çfarëdo mase tjetër alternative, do të arratiset apo në çfarëdo mënyre do t’i shmanget organeve të ndjekjes dhe në këtë mënyrë do të pamundësojë apo vështirësojë në masë të madhe zhvillimin e hetimeve”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Në anën tjetër, familjarë, miq e të afërm u mblodhën sot në orën 17:00 në varrezat e qytetit të Pejës, për t’i dhënë lamtumirën e fundit viktimës, Hyrije Broqi Hyseni, fundi i së cilës ishte tejet tragjik.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.