Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila, në seancën e sotme ka folur për mos-lejimin e mbajtjes së zgjedhjeve serbe në territorin e Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Kusari-Lila e përmendi votimin e Rezolutës së 15 janarit, me anë të së cilës iu dha mbështetje Qeverisë së Kosovës që të mos lejohet mbajtja e referendumit serb në Kosovë, teksa tha se me parmin e njëjtë, përgjigja do të duhej të ishte e njëjtë edhe për zgjedhjet parlamentare serbe.
“Kosova si një vend me demokraci funksionale e cila njeh dhe respekton dyshtetësinë e qytetarëve të vetë , ishte e përcaktuar se bazuar në ligjet e Kosovës dhe praktikat evropiane të gjendej një zgjidhje”, është shprehur Kusari-Lila.
Por, sipas saj, referencë për këto zgjedhje nuk mund të ishin zgjedhjet e mëparshme serbe të mbajtura në Kosovë, të cilat sipas saj, nuk ishin në përputhje me ligjet e aplikuara në Kosovë.
Përveç zgjedhjeve serbe, Kusari-Lila foli edhe për luftën në Ukrainë, e shkaktuar nga Rusia.
Në këtë rast, Kusari-Lila krahasoi Kosovën e Ukrainën, pasi sipas saj, ngjashmëri u pa edhe në brutalitetin rus dhe atij serb të 23 viteve me parë.
Më tej, e para e grupit parlamentar të VV-së, paralele tërhoqi edhe në krimet që Rusia i ka kryer në Bucha, Irpin e qytete të tjera, ku tha se nuk dallojnë fare nga pamjet e Reçakut, Krushës, Rezallës, Izbicës e masakrave të tjera.
“Serbia prapë e gjeti vetën në anën e gabuar. Në krah me Rusinë dhe kundër gjithë botës demokratike. Përvec se prej 23 shkurtit, kur Serbia u rreshtua krah Rusisë dhe gjenocidin që ajo po e zhvillon në Ukrainë, ajo tashmë po legjitimon krimet që po shfaqen përmes imazheve nga Bucha, Iripin e qytete tjera, e të cilat nuk dallojnë fare nga pamjet e Recakut, Krushës, Rezallës, Izbicës e shumë masakrave të tjera të Kosovës”.
“Kjo paralele ka të bëjë me shtetin që nuk pranoi t’i drejtohet Kosovës dhe qeverisë së saj me emrin e saj për t’iu mundësuar serbëve të Kosovës organizimin e qendrave të votimit në disa qendra të Kosovës”, është shprehur Kusari-Lila.
Ndërsa, sa i përket fshirjes së 6 mijë emrave shqiptarë nga lista e votuesve në Luginë, Kusari-Lila tha se ky akt është i barabartë me dëbimin nga shtëpitë e tyre apo spastrimi etnik, që sipas saj, ka ndodhur me dekada me radhë.