Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë që nisma rajonale “Ballkani i Hapur” e sjell Kosovën si një palë jo të barabartë.
Kusari-Lila, në një intervistë në Rubikon në Klan Kosova, tha që ideja e “Ballkanit të Hapur”, që nga fillimi është prezantuar në njëfarë forme si “hidhërim ndaj moshapjes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”.
“Parimi i njëjtë ka mbetur në raport me ‘Ballkanin e Hapur’, i cili filloi me emra të ndryshëm, siç e dimë prej ‘Mini-Shengenit’, por që krijimi i mekanizmave të rinj në raport me bashkëpunimin rajonal, pa u përmbyllur ose pa u kryer proceset e integrimit të atyre iniciativave të mëhershme të nisura, nuk e bën që kjo e fundit të arsyetojë apo të jetë diçka ndryshe në raport me Kosovën”.
“Në fakt, ato nismat tjera kanë pasë shumë më tepër kredibilitet. Kosova mbetet e përkushtuar bashkëpunimit rajonal në tregun e përbashkët rajonal, atë që ka filluar si Procesi i Berlinit që gjithashtu i përfshin katër liritë”.
“Tek ideja e “Ballkanit të Hapur” së fundmi është vërejtur më tepër prej fillimit kur është prezantuar një njëfarë forme si hidhërim ndaj moshapjes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, gjithashtu me iniciativën e Serbisë. Pastaj, më tutje në diskutime tjera u vërejt që nuk ka pasë tendencë të përfshirjes së barabartë të palëve, në veçanti Kosovës”.
“Kjo është cekur disa herë e së fundmi edhe sot. Ne e kemi zbërthyer deri në detaje edhe kur është pyetur edhe pala serbe në raport me Kosovën – kanë thënë që i drejtohen dialogut në Bruksel. Kosova nuk ka nevojë për një nismë tjetër e cila prapë do e sjell në situatën ku është palë e pabarabartë”, tha ajo.
Tutje Kusari – Lila tha që Kosova nuk mund të arrijë barabartësi me një pjesëtar të “Ballkanit të Hapur” siç është Serbia
“Edhe sot, mesazhi i Escobarit në raport me përfshirjen e palëve në nivelin e barabartë dhe në raport me mbajtjen e bashkëpunimit në nivelin ekonomik dhe josynimin e nisjes së diçkaje politike – është mesazh i qartë mbi atë se cilat kanë qenë pabarazitë, ose qasja prej fillimit e kësaj nisme”.
“Kosova nuk mund të arrijë barabartësinë, pasi në rrethanat ku Kosova njërin prej pjesëtarëve të “Ballkanit të Hapur” në këtë rast Serbinë, nuk arrin asnjë dakordim me shumë propozime e alternativa të Kosovës për zgjidhje të proceseve apo të marrëveshjeve që janë trashëguar t’i arrijë – si ajo e targave dhe ajo e energjisë” .
“Është konfirmuar edhe nga BE-ja që Kosova ka ardhë me propozime konkrete për zgjidhje dhe Serbia ka kërkuar në fillim 90 ditë herën e parë e të dytën 180 ditë”, tha tutje Kusari-Lila.