Shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka reaguar për situatën e krijuar në veri të vendit, ku serbët po kundërshtojnë me bomba mbajtjen e zgjedhjeve lokale.
Kusari-Lila thotë se synimet e Serbisë për terror ndaj Kosovës s’janë ndalur asnjëherë por vetëm kanë ndryshuar nga madhësia e ndikimit dhe forma e aplikimit, raporton Express.
Ajo ka thënë se Vuçiq s’ka interes integrimin dhe avancimin e serbëve por të kundërtën.
Deputetja e Kuvendit të Kosovës thotë se “Fatkeqësisht, Serbia e Millosheviqit po funksionon ende me Vuçiçin ne krye të saj”.
Reagimi i plotë:
Synimi për terror nga ana e Serbisë ndaj Kosovës nuk është ndalë asnjëherë, vetëm ka ndryshuar madhësia e ndikimit dhe mënyra e aplikimit.
Sulmet e organizuara ndaj institucioneve të Kosovës në Komunat veriore, para zgjedhjeve lokale, tregojnë se cak janë institucionet e shtetit të Kosovës dhe qytetarët serbë që duan të jetojnë në dhe me shtetin e Kosovës.
Aleksandër Vuçiç nuk e ka interes integrimin dhe avancimin e serbëve në shtetin e Kosovës. E kundërta, ai kërkon që pakica serbe këtu të jetë e ndarë dhe kundër shtetit të Kosovës. Ata duan me zorr ta mbajnë gjallë një konflit të paqenë midis qytetarëve me bazë kombësie.
Kështu besojnë se do ta mundësonin dezintegrimin e shtetit të Kosovës dhe shkatërrimin e të gjithë mekanizmave demokratik.
Por sot para nesh ne kemi qytetarët e ndershëm përballë bandave kriminale të Vuçiçit. Dhe policinë e Kosovës duke kryer detyrën e saj në mbrojtje të qytetarëve dhe institucioneve.
Nuk ka askush problem me qytetatët serbë në Kosovë. Por Vuçiçi e ka problem që ata nuk punojnë të gjithë kundër shtetit të Kosovës.
Fatkeqësisht, Serbia e Millosheviqit po funksionon ende me Vuçiçin ne krye të saj.