Kryeministri Albin Kurti është mbështetur krejtësisht tek ambasadori amerikan pas mospajtimeve me shefin e diplomacisë evropiane Josep Borell. Ai dje tha se 48 orëshin ia dha ambasadorit amerikan dhe se ai tani ka gjithçka në duar përfshirë kontaktet me Brukselin e Uashingtonin. Dukshëm i gëzuar që ndodhi kështu, Kurti nuk i kurseu lëvdatat për njeriun e parë të parë të Amerikës në Kosovë – e quajti “të përkushtuar, të angazhuar, konstruktiv, pozitiv dhe kreativ”. Kurti ishte këshilluar nga Sekretari Blinken
në janar që ta punojë ngushtë me të, përmes një letre që ia kishte dërguar.
Pasi Lidhja Demokratike e Kosovës kishte vendosur të dilte nga koalicioni qeverisës me Albin Kurtin me arsyetimin se “s’mund të qëndrojnë në një qeveri anti-amerikane” ka pasur reagime dhe akuza mjaft të ashpra në Kosovë. Më të ashprat bëheshin ndaj trinomit Avdullah Hoti, Skënder Hyseni e Agim Veliu, meqë etiketoheshin për afërsi tepër të madhe me ish-emisarin Richard Grenell.
Ndërkohë bëhej përpjekje për të diferencuar emisarin e presidentit amerikan Donald Trump nga Amerika duke thënë se Grenell “s’është Amerika”.
Gjithë irritimi i asaj administrate amerikane me Kurtin kishte ardhur pasi ky i fundit refuzonte kategorikisht të hiqte vendimin e Qeverisë së Republikë së Kosovës për taksë ndaj Serbisë, derisa Trump synonte arritjen e një marrëveshje Kosovë-Serbi.
Rrjedha e ngjarjeve ndryshoi pas votës së pavlefshme të deputetit nga pakicat, Etem Arifi për Hotin si kryeministër, që çoi vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme. Irritimi i madh me LDK-në për rrëzimin e Kurtit dhe bashkimi i Vjosa Osmanit me liderin e Vetëvendosjes pas zgjedhjeve të 14 shkurtit kishte prodhuar rezultatin që Vetëvendosje në vazhdimësi e propagandonte.
Pasi Kurti rimori pushtetin përsëri me mbi 50 % të votave dhe pasi në SHBA u ndërrua administrata dhe erdhi miku dhe njeriu i lidhur emocionalisht me Kosovën, Joe Biden, u mendua se punët Kosovës do t’i shkojnë vaj.
Por nuk u desh të kalonte shumë kohë dhe Kurti të gjendet në situatë të njëjtë sa i përket, mbase edhe më të keqe të raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndryshe nga hera e parë për taksën, tashmë Kurti insiston për targat e veturave.
Refuzimi i vazhdueshëm i kërkesës amerikane për shtyrje dhjetë mujore të një vendimi të tillë për targa ka bërë që Departamenti Amerikan i Shtetit të shpreh zhgënjimin me Kurtin. Ka reaguar Sekretari Blinken, nënsekretarja Karen Donfried e gjithashtu edhe ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill të cilët kanë shprehur shqetësimin me kokëfortësinë e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Por duket që kryeministri Kurti ka raporte pak më specifike me ambasadorin e SHBA-së, në Prishtinë, Jeff Hovenier. Në orët e vona të ditës së fundit të korrikut, Hovenier kishte zbritur nga Dragodani për në Qeverinë e Kosovës dhe në një konferencë kishte treguar se Kurti ka pranuar kërkesën për shtyrje të vendimit për targat ilegale.
Një kërkesë të Hovenier për një shtyrje tjetër prej 48 orësh Kurti e ka pranuar edhe në orët e para të mëngjesit të 22 nëntorit pas një raundi diskutimesh me Vuçiqin në Bruksel pa kurrfarë rezultati e që çoi edhe në tensionim raportesh Kurti-Borell.
Në njoftimin për pranimin e kërkesës për shtyrje 48 orëshe të vendimit për targat, Kurti ishte kujdesur që të veçonte ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeff Hoveier duke thënë se “pranova kërkesën e tij” dhe e kishte falënderuar për angazhimin dhe përkushtimin në këtë proces.
Kurti fjalët miradije për Hovenierin nuk i kishte kursyer as gjatë një fjalimi të mbajtur dje në qytetin e Prizrenit kur përsëri ishte kujdesur që ta bënte një dallim nuancor me shprehjen “Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sidomos ambasadori Jeff Hovenier’.
Më pas ka vazhduar me lavdet e tij për diplomatin amerikan duke thënë se është i përkushtuar, i angazhuar, konstruktiv, pozitiv dhe kreativ.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sidomos ambasadori Jeff Hovenier është i përkushtuar dhe i angazhuar dhe unë e falënderoj për këtë. Roli i tij është gjithmonë konstruktiv, pozitiv e kreativ. Tash ai po i bën përpjekjet maksimale, pra SHBA sidomos Hovenier. Ata janë në kontakt me Brukselin. Që prej se ka përfunduar takimi i fundit në kuadër të bisedimeve tetëorëshe që i kemi pasur dje, unë nuk kam komunikuar me zëvendëspresidentin e Komisionit Evropian dhe përfaqësuesin e lartë për politikë të jashtme dhe siguri Josep Borrell, i cili me keqardhje ritheksoi, e braktisi propozimin franko-gjerman, propozimin e Bashkimit Evropian duke thënë le ta kemi një dakordim për targat. Nuk mjafton dakordimi për targat”, kishte deklaruar Kurti nga Prizreni.
Në një letër që Kurtit i kishte ardhur në janar të të këtij viti nga Sekretari Blinken ishin pikërisht Hovenier dhe Escobar dy diplomatët që ia kishte rekomanduar të punojë. Blinken aty thoshte se ata janë plotësisht të autorizuar për tema specifike.
“Ju lutemi të punoni ngushtë me Ambasadorin Hovenier dhe Përfaqësuesin Special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, sepse të dy janë plotësisht të autorizuar për t’i adresuar këto çështje me ju. Të dy janë të përgatitur për t’i diskutuar specifikat me ju dhe ekipin tuaj. Jemi të gatshëm ta ndihmojmë Kosovën për t’i arritur qëllimet e përbashkëta”.
Për raportin e acaruar me amerikanët Kurti po kritikohet në mas të madhe nga brenda vendit, sidomos nga partitë opozitare. Ndërkohë Ambasada e SHBA-së në Prishtinë ka dhënë edhe një këshillë për zyrtarët e kësaj Qeverie që të mos ia mësyjnë udhëtimeve për në Amerikë pasi duhet qëndruar në Kosovë për t’u marrë me krizën.