Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, ka kritikuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian, për masat që janë vendosur ndaj tij dhe Kosovës, duke i cilësuar ato si padrejtësi. I pari i qeverisë ka përsëritur që mes tij dhe faktorëve ndërkombëtarë ka dallime të vogla, taktike e strategjike, edhe pse, vendosja e masave ndaj Kosovës pikërisht nga ana e aleatëve perëndimorë mund të nënkuptojë të kundërtën.
Pos këtyre, Kurti ka vlerësuar se Washingtoni dhe Brukseli, kanë vende bast, siç ka thënë ai, për kalin e gabuar në Serbi, në Vucicin, e cili nuk doli të jetë farë kalë, por dhelpër.
Kryeministri i Kosovës, i pyetur rreth kërkesave të SHBA’së dhe BE’së, ka thënë se këto dyja së pari duan që të de-eskalohet situata në veri, gjë për të cilën pajtohet edhe ai. Megjithatë, ka shtuar Kurti, ai s’mund të i largojë gjithë policinë sepse jashtë ekzistojnë elementë të ndryshëm ekstremë të krimit të organizuar dhe në të njëjtën kohë elemente të strukturave paralele ilegale të Serbisë.
Një pjesë e intervistës së Kurtit për Vecernji List:
Veçernji List: Të gjithë ju sulmojnë, që bën të duket se jeni fajtori më i madh për gjithçka, kritikat vijnë nga të gjitha anët. Çfarë po ndodh në marrëdhëniet me komunitetin ndërkombëtar?
Kryeministri Kurti: Brukseli dhe Uashingtoni kanë vënë bast për kalin e gabuar në Serbi, në presidentin e atjeshëm. Në fund doli që nuk ishte fare kalë, por dhelpër. Askush as nuk e ka imagjinuar që një vit e pesë muaj pas agresionit rus në Ukrainë, Serbia nuk do të vendosë sanksione ndaj Moskës, por madje do të lejonte që Sputniku të mbante bazën rajonale në Beograd. Në vend të reflektimit dhe introspeksionit të tyre, ata më godasin mua.
Brukseli dhe Uashingtoni e lejuan Vuçiqin që të mos e nënshkruante marrëveshjen nga Brukseli dhe Ohri, pastaj që ta shkelte atë marrëveshje dhe ja ku jemi në një situatë në të cilën ekziston asimetri drastike në qasje. Masa ndëshkuese ndaj meje, dhe nga ana tjetër falje për presidentin Vuçiq. Kjo është një padrejtësi. Por thonë se këto masa do të jenë afatshkurtra, të përkohshme dhe të kthyeshme, andaj të shohim. Me faktorët ndërkombëtarë, edhe evropianët edhe amerikanët, kemi komunikim dhe koordinim të rregullt, por kemi edhe dallime të vogla, herë përsa u përket taktikave, e ndonjëherë, eventualisht, strategjive. Por përsa iu përket vlerave, interesave dhe qëllimeve nuk kemi asnjë dallim.
Veçernji List: Çfarë duan në të vërtete nga ju ShBA dhe BE? A e duan ata krijimin e Republika Srpska brenda Kosovës?
Kryeministri Kurti: Para së gjithash, ata duan deeskalimin e situatës në veri të Kosovës dhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe ne plotësisht pajtohemi me ta. Sa i përket deeskalimit, tërheqjes së policisë dhe zgjedhjeve të parakohshme, janë diçka që ata kanë kërkuar dhe ne jemi pozitivë për këtë, dhe i përgjigjemi pozitivisht kësaj kërkese. Por unë nuk mund ta nxjerr menjëherë policinë nga ato ndërtesa sepse jashtë ekzistojnë elementë të ndryshëm ekstremë të krimit të organizuar dhe në të njëjtën kohë elemente të strukturave paralele ilegale të Serbisë. Prandaj i jam përgjigjur kërkesës së tyre duke ulur proporcionalisht dhe gradualisht numrin e policëve. Nga ana tjetër kam thënë se nuk mund të detyroj askënd të japë dorëheqje apo të largohet nga ndërtesat zyrtare që janë në fakt pronë e Republikës sonë, por ejani të bëjmë zgjedhje të parakohshme. Neni 72 i Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale thotë se është e mundur mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme nëse 20% e elektoratit bëjnë peticion dhe më pas mbahet votimi. Nëse më shumë se 50% e votuesve votojnë kundër atij kryetari, praktikisht i merret mandati. Duhet të ecim ligjërisht drejt zgjedhjeve të reja të parakohshme.
Bashkësia ndërkombëtare është e vetëdijshme se ka të bëjë me një Beograd zyrtar të ekstremit të djathtë, i cili në rotacion krijon probleme në Bosnje dhe Hercegovinë, Mal të Zi dhe Kosovë – çdo muaj njërit prej fqinjëve i vjen radha. Ne dëshirojmë drejtësi ndërsa bashkësia ndërkombëtare ka frikë nga destabilizimi dhe këtu ka një hendek.
Ky hendek zgjatet me një hendek tjetër kur komuniteti ndërkombëtar ka pritshmëri të ulëta nga Vuçiqi në të tashmen, por megjithatë shpresa të mëdha në afat të mesëm. Prandaj, sa herë që Beogradi bën një gjest pozitiv, ata e zmadhojnë atë, sepse kanë pritshmëri jashtëzakonisht të ulëta. Në këtë kuptim, komuniteti ndërkombëtar, paradoksalisht, është më optimist për Vuçiqin sesa për veten! Sigurisht unë jam optimisti më i madh, por unë jam optimist për Kosovën, për BE-në dhe NATO-n, por jo kur është fjala për Vuçiqin