Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka dënuar Lëvizjen Vetëvendosje me tre mijë euro, për shkak të shkeljes së Kodit të Mirësjelljs për Subjektet Politike, Mbëhstetësit e tyre dhe kandidatët.
Siç thuhet në vendim, kryeministri Albin Kurti ka publikuar një video ku shihet me hoxhën Husamedin Abazi, i cili është i punësuar në organizatë fetare.
“I. PRANOHET e bazuar ankesa e subjektit politik Partia Demokratike e Kosovës (PDK), me seli në Prishtinë, Anr.296/2025 e datës 01.02.2025
II. Subjektit Politik Lëvizja Vetëvendosje (LVV), me seli në Prishtinë, për shkak të shkeljes së Kodit të Mirësjelljes për Subjektet Politike, Mbështetësit e tyre dhe Kandidatët, i shqiptohet dënimi më gjobë në lartësi prej 3,000.00 (tremijë) euro.
III. Detyrohet Subjektit Politik Lëvizja Vetëvendosje (LVV), me seli në Prishtinë, që gjobën e shqiptuar si në pikën -II-, të dispozitivit të këtij vendimi, ta paguaj në afat prej 15 ditëve, nga dita e plotfuqishmërisë së këtij vendimi” –thuhet fillimisht.
Më pas, bëhet me dije se Kurti ka bërë fushatë me përfaqësues fetarë dhe të organizatave bamirëse.
“Paneli pasi që shqyrtoi pretendimet ankimore dhe përgjigjen në ankesë, ka gjetur se postimi i videos në rrjetin social facebook, nga kandidati për deputet nga radhët e subjektit politik Lëvizja Vetëvendosje, aktualisht kryetar i këtij subjekti politik, është vërtetuar se ka bërë fushatë me përfaqësues fetar dhe organizatave bamirëse. Nga prova materiale e bashkangjitur ankesës, së Subjektit Politik PDK, dhe shkresave tjera të lëndës, paneli ka vlerësuar se nga ana e kandidatit për deputet nga radhët e subjektit politik, LVV, është shkelur Rregulla Zgjedhore Nr. 07/2024 për Fushatën e Zgjedhjeve, Monitorimin e Fushatës së Zgjedhjeve dhe Deklarimin Financiar, pasi që kandidati në fjalë, në fushatë zgjedhore ka përfshi të punësuarit në organizatë bamirëse Fondacioni Freskia si dhe të punësuarin në ketë organizatë dhe përfaqësues fetar, për fushatë zgjedhore, veprim ky i cili bie në kundërshtim me dispozitën e nenit 5 paragrafi 2 nën paragrafi 2.4 i Rregullores Zgjedhore 07/2024” – thuhet në vendim.